E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, më shumë policë civilë në plazhe

Hapja e sezonit turistik në pjesën më të madhe të plazheve ka vënë në lëvizje operatorët publikë dhe privatë të marrin masa për një sezon sa më të suksesshëm. Pas Durrësit, është çelur zyrtarisht sezoni turistik edhe në Gjirin e Lalëzit, një nga pjesët më të bukura të bregdetit shqiptar. I pozicionuar rreth 30 km në veri të qytetit të Durrësit ky plazh që është në varësi të Komunës së Ishmit synon të ofrojë të gjitha kushtet dhe shërbimet për një turizëm elitar, larg kaosit, zhurmave që ofrojnë plazhet e frekuentuara masivisht. Ndërkaq, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës dhe Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare dhe Migracionit kanë deklaruar se do të ketë një shtim të shërbimeve policore në plazhet më të frekuentuara. Kjo për të evidentuar në kohë elementët kriminalë shëtitës, vjedhjet apo vepra të tjera penale që do të cenonin rendin publik dhe sigurinë e pushuesve. Këtë verë është kërkuar një numër më i lartë efektivash policorë nga drejtoritë e tjera të policisë në qarqe, pasi parashikohet që numri i pushuesve të jetë dhe më i madh se ai i sezonit të kaluar për shkak të hapjes së tunelit të Kalimashit. Mjetet dhe shërbimet e policisë rajonale kufitare që mbulon gjithë kufirin ujor që nga derdhja e lumit Seman në Lushnjë, deri në vendin e quajtur “Rana e hedhun” në Shkodër, do të patrullojnë përgjatë të gjithë vijës bregdetare në bashkëpunim me “Guardia di Finanza” për t’u ardhur në ndihmë pushuesve në det, si dhe për të shmangur tentativat për trafiqe të paligjshme. Për të disiplinuar disi trafikun që mbingarkohet gjatë sezonit është kërkuar sistemimi i rrjetit dhe sinjalistikës rrugore, si dhe mbyllja e vendeve të ndryshimit të drejtimit të lëvizjes së mjeteve në rrugën e plazhit, të cilat shpesh janë burim aksidentesh. Ndërkohë, bashkia ka menduar për një orientim të trafikut dhe përmes sms-ve. Ndërkohë, gjoba dhe procedime penale paralajmërohen për pronarët e lokaleve që do të shkelin oraret dhe frekuencat e përcaktuara nga bashkia në orët e vona të natës.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›