E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: EULEX u ftua nga institucionet e Kosovës

Prishtinë Presidenti mbështet aksionin e misionit të BE-së në luftën ndaj korrupsionit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, deklaroi dje se misioni i BE-së, EULEX, është ftuar nga drejtuesit e shtetit të ri dhe duhet bashkëpunuar. Në një deklaratë për media bërë pas takimit me krerët e rinj të njësive vendore, Presidenti Sejdiu ka komentuar edhe vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it, duke thënë se është një mandat në politikat e përbashkëta të Bashkimit Europian. “Ne e kemi ftuar EULEX-in në Kosovë, që të jetë mbështetës i rëndësishëm në realizimin e politikave tona si shtet i ri dhe besoj se kjo mbështetje do të jetë vetëm në kuptimin pozitiv”, tha Presidenti Sejdiu. “Ne duam të jemi në Bashkimin Europian sa më shpejt. është rast i yni që të shfrytëzojmë prezencën ndërkombëtare për të shkurtuar rrugën”, shtoi ai. Ndërsa i pyetur rreth hetimeve që po bën ky mision në vendin tonë, Presidenti Sejdiu u shpreh: “Unë mbështes gjithmonë zbatimin e plotë të ligjit dhe vënien në shënjestër të gjithë personave që mund të kenë ardhur në kundërshtim me ligjin. Në këtë kuadër, edhe në luftën kundër korrupsionit. Institucionet e vendit duhet të bëjnë punën e tyre të suksesshme, por edhe mbështetja e EULEX-it është e domosdoshme, në këtë aspekt, në pjesën e mandatit që ka. Dhe ekziston një bashkëpunim i mirë”.
Në lidhje me mundësinë nëse arrestimet e mundshme mund të destabilizojnë vendin, Presidenti Sejdiu theksoi se këto janë çështje të institucioneve të ndjekjes. Ai shtoi se “Kosova nuk është temë, Kosova nuk është duke u ndjekur. Kosova është në rrugën e saj të mirë, në rrugën e suksesit. Por, natyrisht, në këtë pjesë të suksesit ka edhe shumë çështje që duhet punuar më mirë”. Sejdiu zhvilloi dje një takim me kryetarët e komunave të Kosovës. Ky ishte takimi i parë i tij me ta, i zhvilluar pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Ai i ka siguruar kryetarët e komunave për mbështetjen e plotë dhe të vazhdueshme për realizimin e projekteve që kanë, ndërsa ka kërkuar prej tyre që të jenë aktorë të rëndësishëm në rolin e tyre ligjor dhe kushtetues. “S’mund të ketë funksionim të Kosovës nëse shikohet vetëm puna në nivelin qendror dhe të mos shikohet puna që bëhet në nivelin lokal dhe anasjelltas”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke i quajtur të dy nivelet e qeverisjes si të ndërlidhura mes tyre. “Sundimi i ligjit dhe zbatimi i tij nuk është vetëm çështje e pushtetit qendror, vetëm e gjyqësorit, e sistemit prokurorial apo edhe e organeve të ndjekjes, por është edhe e pushtetit lokal, në krejt nivelet. Sundimi i ligjit nuk lidhet vetëm në një fushë, por lidhet me të gjitha fushat e jetës”, tha Presidenti Sejdiu pas takimit, duke prezantuar temat që janë diskutuar me kryetarët e komunave, përfshirë çështje nga fusha e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë e çështje të tjera të shtruara nga kryetarët e komunave.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›