Durrës, në ditën e tokës mbillen 1300 pemë
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka marrë pjesë në mbjelljen e pemëve në rrugën Agimi, në lagjen 18, me rastin e 22 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Tokës. Mbjellja e pemëve në sajë të nismës së bashkisë Një jetë, një pemë ka pasur një shtrirje të gjerë në të gjithë Durrësin. Dje në Ditën Ndërkombëtare të Tokës nisi mbjelljen e pemëve në lagjen 18 së bashku me kryetarin e bashkisë, Vangjush Dako, u bashkua edhe një çift të sapomartuarish që së bashku mbollën simbolikisht një pemë. Kryebashkiaku Dako deklaroi se gjelbërimi është një prioritet i Bashkisë së Durrësit: Një nga prioritetet e bashkisë është shtimi i sipërfaqeve të gjelbra në Durrës në funksion të një mjedisi sa më të pastër për qytetarët e Durrësit. Edhe ky vit do të vazhdojë të jetë vit i gjelbërimit të rrugëve dhe lulishteve të Durrësit. Gjatë gjithë mandatit tim do të vazhdojë pareshtur mbjellja e sa më shumë pemëve, pasi mjedisi është një nga prioritetet tona kryesore që i shërben vizionit të një qyteti turistik evropian. Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Tokës, me nismën e bashkisë është bashkuar edhe Partia për Drejtësi dhe Unitet, ku të rinjtë e kësaj partie së bashku me kreun e saj, Shpëtim Idrizi, së bashku me kryebashkiakun Dako, mbollën disa palma në shëtitoren Taulantia.