E Diel, 1 Nëntor 2026

Problemet me dëgjimin, në çdo 1 mijë fëmijë të lindur, 2 janë hipoakuzikë

Në Shqipëri, në çdo 1.000 të lindur, 2 janë hipoakuzikë dhe kjo incidencë është 2 herë më e lartë se mesatarja evropiane. Ndërkohë që shqetësues mbetet ende fakti se ka prindër, të cilët hezitojnë për ekzaminimin e kësaj patologjie tek fëmijët, problem që duhet të marrë përgjigje, - tha dje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në konferencën "Paaftësia dëgjimore tek fëmijët", e mbajtur në Muzeun Kombëtar. "Kultura e të drejtuarit tek mjekët dhe strukturat e specializuara për të marrë në kohën e duhur ndihmën duhet të jetë nacionale, sepse shpeshherë praktika tregon se jo vetëm për çështje të shurdhësisë, por dhe të tjera, sistemi shëndetësor përballet me probleme të faktit të tyre", - theksoi Vasili, sipas të cilit, vihet re një kompleks nga ana e prindërve, të cilët nuk e pranojnë handikapin e fëmijës. Gjatë 12 muajve të parë u testuan rreth 13.000 të porsalindur, prej të cilëve 96% kanë rezultuar me dëgjueshmëri normale dhe 3.8% e tyre mund të ketë probleme të dëgjueshmërisë dhe 0.2% ose 2:1000 kanë rezultuar me handikap uditiv të pjesshëm, ose të plotë. Zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj, tha se ndjekin arsimin parauniversitar 198 fëmijë të arsimit të detyruar që nuk dëgjojnë, nga kjo kategori 46 janë të seksit femër, 161 fëmijë që kanë vështirësi në të folur, 83 fëmijë autikë, 567 fëmijë me vështirësi në të shikuar, 186 me aftësi të kufizuara, 575 me aftësi të kufizuara fizike, 756 me aftësi të kufizuara mendore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›