E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, një person qëllon me armë në drejtim të një lokali, 4 të plagosur

DURRES –  Katër persona janë plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në qytetin e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur tek stacioni i trenit, rreth orës 21:30, ku një person ka qëlluar me armë zjarri nga automjeti i tij, në drejtim të një lokali, për arsye ende të panjohura.

Për pasojë katër persona janë plagosur, ndërsa krismat kanë shkaktuar panik tek qytetarët e shumtë që ndodheshin në lokalet përreth, apo duke shëtitur në rrugë në ato momente.

Të plagosurit, janë dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit. Fatmirësisht, sipas mjekëve ata janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën.

Burime nga policia bëjnë të ditur se të plagosurit, H.Lama 55 vjeç, Bujar Luku 55 vjeç, Ilia Plaku 66 vjeç dhe T. Hallulli ishin klientë të rastësishëm në lokal dhe nuk njiheshin me njëri-tjetrin.

Dëshmitarët në vendin e ngjarjes tregojnë se një person ka shtënë me armë në drejtim të lokalit, ndërsa nuk dihet se cili ka qenë objektivi i tij.

“Autori ka qëlluar në drejtim të lokalit, plumbi ka kapur vëllain tim në këmbë. Nuk dihet cili ka qenë objektivi i tij. Jemi shtrirë të gjithë barkas në lulishte, kur është qëlluar me armë. Autori është larguar më pas me makinë.”- shprehet vëllai i njërit prej të plagosurve.

Ndërkohë policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit. 

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Vlorë, qëllon vëllain me thikë në kraharor, arrestohet pas rezistencës 26-vjeçari Sherri për parkingun, 2 vëllezër plagosen me armë zjarri në zonën e Yzberishtit Delvinë, i moshuari gjendet i vdekur në banesë, dyshohet se është goditur me mjete të forta

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›