E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, protestë për shtëpitë, banorët në bulevardin “Epidamn”: Shpronësim me vlerën e tregut!

Dhjetëra banorë të qytetit të Durrësit kanë protestuar këtë të mërkurë duke kundërshtuar vendimin për prishjen e shtëpive të tyre.

Bëhet fjalë për 74 familje që preken nga projekti TID, i cili parashikon restaurimin dhe rikualifikimin urban në zonën pranë Parkut Arkeologjik të Durrësit. Një muaj më parë, qeveria mori vendimin për shpronësimin e tyre.

Banorët kërkojnë që shtëpitë dhe bizneset e tyre të mos shemben. Por nëse kjo ndodh, atëherë ata pretendojnë shpronësimin me vlerën e tregut, që aktualisht është 1500 deri në 1600 euro për metër katror. Ndërsa qeveria, sipas tyre, u ka ofruar nga 750 deri në 800 euro për metër katror.

Qeveria ka miratuar gjithë vlerën e shpronësimit që arrin në 315.5 milionë lekë, e cila do të përballohet nga buxheti i shtetit për dëmshpërblimin e 74 familjeve që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin përgjatë bulevardit “Epidamn” të qytetit.

Projekti i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim që do të zbatohet në zonën historike në qendër të Durrësit synon ruajtjen e trashëgimisë kulturore, zhvillimin e biznesit dhe turizmit në qytet.

Nga ky projekt preken rreth 200 banesa dhe biznese.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›