Durrës, qeveria, fonde për 342 familje të pastreha
Projekte konkrete për strehimin, do të bëhet i mundur ndërtimi i pallateve brenda 24 muajve
Qeveria e drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha, në vazhdën e premtimeve të mbajtura dhe investimeve në Durrës, ka gati zbatimin e një projekti madhor për zbutjen e problemit të strehimit. Fillimisht për vitin 2010, janë në plan afro 342 familje, të cilat kanë marrë nga bashkia statusin e të pastrehut dhe që do të trajtohen me apartamente të reja. Kjo njëherësh përbën një premtim të mbajtur të Kryeministrit Berisha lidhur me zbutjen e këtij problemi të mprehtë social në Durrës.
Tenderi tashmë ka përfunduar dhe janë përcaktuar firmat e ndërtimit të cilat do të ngrenë dy pallatet e para për të pastrehët, të cilët janë pjesë e “Projektit të strehimit social” i hartuar nga qeveria për Durrësin. Plot 342 apartamente do të ndërtohen brenda harkut kohor të 24 muajve për të cilat janë siguruar fondet e nevojshme si dhe janë përfunduar edhe një sërë procedurash ligjore.
Është CEBI (Banka e Këshillit të Evropës) që në bashkëpunim me qeverinë, duke u koordinuar edhe me Bashkinë e Durrësit, që kanë mundësuar realizimin e këtij projekti. Kjo bankë ka mundësuar një kredi prej 3,5 milionë eurosh, e cila mbulon 60 për qind të projektit, ndërsa bashkia me 1,5 milion euro do të mbulojë 40 për qind të tij. Kredia e CEBI-t është me terma shumë të buta dhe do të nisë të likuidohet pas 11 vjetësh.
Projektet e miratuara
Brenda pak javësh do të nisë puna për ndërtimin e dy pallateve nga 8 kate secili në qytetin e Durrësit, të cilët do të shërbejnë për strehimin e personave në nevojë.
Ato janë pjesë e “Projektit të strehimit social” të hartuar nga qeveria, kurse Bashkia e Durrësit ka miratuar sheshet e ndërtimit.
Ky projekt parashikon ndërtimin e pallateve brenda një afati kohor 2-vjeçar. Këto pallate do të përbëhen nga 342 apartamente 1+1 dhe 2+1. Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, tha për “standard” se “viti 2010 pritet të nisë me investime të fushës së strehimit. Vlera në total e projektit është 5 milionë euro prej të cilave 3,5 milionë euro janë siguruar nga një kredi e CEBI-t dhe interesimi i Kryeministrit Berisha.
Afro 1,5 milion të tjera janë siguruar nga fondi i bashkisë. Kredia ndaj CEBI-t do të nisë të shlyhet pas 11 vjetësh. Në këtë projekt bën pjesë edhe qeveria, ndaj bashkia ka përzgjedhur PIU-n si njësi menaxhimi, që do të koordinojë punët midis bankës dhe qeverisë.
PIU është njësi zbatimi projektesh për kreditë që jep BB,CEBI apo BEI.
E përkthyer në terma bankarë, rezulton se 60 për qind e projektit për ndërtimin e pallateve mbulohet nga kredia e bankës dhe 40 për qind nga fondi i bashkisë. Ajo ka përcaktuar edhe trojet e ndërtimit që janë dy të tillë.
Njëri pranë Ndërmarrjes së Ujësjellësit me sipërfaqe 11 mijë m2 dhe tjetri në Shkozet me sipërfaqe 10 mijë metra katrorë. Në të parin do të ndërtohen 4 pallate, ndërsa në të dytin 6 të tillë. Në muajin shkurt do të zhvillohet tenderi për ndërtimin e 2 pallateve të tjera pranë ujësjellësit dhe pak më vonë do të nisin procedurat për pallatet e tjerë.
Apartamentet do të jepen me qira të paktën për 10 vjetët e parë. Qeraja mujore do të arrijë deri në 52 euro për apartamentet 2+1. Përfitues të apartamenteve do të jenë persona në nevojë të cilët plotësojnë kriteret e vendosura nga Këshilli Bashkiak.
Kriteri bazë janë të ardhurat mujore të tyre, në mënyrë që të mundësohet shlyerja e kredisë ndaj bankës. Banorët e banesave me pronarë do të trajtohen me precedencë në përfundim të ndërtimit të pallateve. Durrësi ka sot me statusin e të pastrehëve mbi 2500 familje.