E Diel, 1 Nëntor 2026

Rastet dhe vdekjet më të shumta nga virusi me sëmundje kronike

ISHP: Gripi i derrave qarkullon në 36 rrethe të vendit
Gjatë muajit nëntor vihet re qarkullim intensiv i virusit pandemik

Në fillimet e shfaqjes së virusit A/H1N1 në vendin tonë, shumica e rasteve të konfirmuara kanë qenë të lidhura me udhëtimet jashtë shtetit, vetëm pak kohë më pas rastet e tjera të zbuluara vinin kryesisht nga grumbullimet brenda familjes.
Por sot, disa muaj pas qarkullimit të virusit pandemik në vend, sipas të dhënave të Buletinit Epidemiologjik të Institutit të Shëndetit Publik të Tiranës, rastet janë shfaqur edhe në shkolla, kopshte apo familje.
Madje, sipas të njëjtave burime, gjatë muajve nëntor - dhjetor vihet re se 66% e rasteve të infektuara me gripin e derrave vuajnë nga sëmundje shoqëruese si diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare.
Virusi
Në këtë fillim viti specialistët e ISHP-së vërejnë se gjatë kësaj jave janë vërejtur ulje të numrit të infeksioneve respiratore të raportuara në krahasim me javët paraardhëse, kjo edhe për shkak të ditëve të pushimit të festave të fundvitit.
Kështu, numri i vizitave dhe shtrimeve me infeksion e viroza respiratore është rritur në javët e fundit pavarësisht trendit në rënie të infeksioneve respiratore të raportuara gjatë kësaj jave.
Gjithashtu, trendi në rënie i infeksioneve respiratore vazhdon edhe në javën e parë të vitit 2010 deri në datën 3 janar, por megjithatë numri i pacientëve të vizituar dhe shtruar vazhdon të mbetet i lartë krahasuar me javët paraardhëse, madje vërehet edhe rritje e tyre në 3 ditët në vazhdim deri në 6 janar.
Raportimet për shtrimet dhe kthimet e pacientëve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po kryhen në bazë ditore dhe vazhdon monitorimi i situatës epidemiologjike në të gjithë vendin.
Rastet
Rastet e konfirmuara janë të shpërndara pothuajse në të gjitha zonat gjeografike të vendit, gjë që flet për qarkullim të virusit pothuajse në të gjithë vendin. Ajo çka është e rëndësishme të theksohet, është se numri i madh i rasteve vërehet në zonat kryesore urbane apo në ato rrethe ku ka pasur grumbullime dhe pikërisht në Tiranë dhe në Durrës, ku është marrë edhe numri më i madh i mostrave apo Mat, ku është evidentuar grumbullimi i parë në shkolla si edhe në rrethe të tjera të cilat paraqesin edhe incidencën më të lartë të infeksioneve respiratore.
Numër më të madh rastesh në moshat fëminore deri në 14-vjeç. Specialistët e ISHP-së vërejnë rritje të incidencës së infeksioneve respiratore në rrethet Lezhë dhe Sarandë.
Sipas këtij raporti, deri tani janë raportuar 11 vdekje: një rast është i moshës 15-24 vjeç, 3 raste 25-44 vjeç, 7 raste 45-59 vjeç, nga të cilat dy raste ishin gra shtatzëna dhe rastet e tjera paraqesin sëmundje bashkëshoqëruese.
Mostrat
Specialistët sërish vërejnë probleme në marrjen e të dhënave dhe paraqitjen e tyre në skeda. Problemet kanë të bëjnë kryesisht me shënimin e fillimit të datës së sëmundjes, plotësimit të shenjave klinike apo diagnozës dhe numrit të vogël të mostrave të marra nga rrethet. Po kështu, nuk shënohet nëse janë të shtruar në spital ose jo apo nuk shënohet përdorimi me tamiflu, ku për pasojë akoma nuk kemi asnjë raport kombëtar të përdorimit të tamilfusë ose altamivirit dhe rezultatet paraprake klinike të vëna deri tani.
Kështu, në të 36 rrethet e vendit janë shpërndarë 30-50 kuti për çdo spital. 900 kuti janë shpërndarë pranë ASHR-së për trajtimin ambulator të gripit në Tiranë, ku vihet re dhe numri i madh i rasteve. Ndërsa 300 kuti janë shpërndarë pranë QSUT-së dhe 60 kuti për spitalin e sëmundjeve polmunare.
Laboratori
Laboratori i virologjisë në ISHP ka filluar analizimin e mostrave në vend me metodën RT-PCR në laboratorin e ri të virologjisë pranë ISHP-së sipas të gjitha kushteve të përcaktuara. Rezultatet e deritanishme të këtij laboratori janë përputhur plotësisht me ato të laboratorit të institutit “Cantacusino” në Bukuresht.
Për të gjitha rastet e konfirmuara nga laboratori i virologjisë pranë ISHP-së janë tashmë raste të konfirmuara, duke dhënë një përgjigje brenda 24 orëve. Ndërkohë, në këtë laborator mund të kryhet edhe testi i shpejtë, më pas kryhet kultura në linja qelizore nga ku izolohet virusi dhe kjo procedurë zgjat 24-72 orë dhe më pas deri në 1 javë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›