Durrës, rrëshqitje masive dheu te Currilat
Rrëshqitje masive dheu në zonën e Currilave në Durrës pas shirave të 48 orëve të fundit. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme dhe burime nga terreni njoftojnë se kjo është rrëshqitja më e madhe që ka ndodhur në këtë zonë. Sipas burimeve, mësohet se kanë rënë 2500 metër kub dhé, që kanë zënë gjithë pjesën e rrugës, madje duke dalë edhe në kahun tjetër të saj. Si pasojë e dherave është bllokuar qarkullimi në pjesën që lidh Durrësin me Currilat dhe automjetet janë detyruar të kthehen mbrapsht. Nga ana e saj, bashkia e qytetit ka marrë masat e saj, por ka qenë e pamjaftueshme, pasi situata mbetet ende kritike. Zona e Currilave, e cila ka edhe kodrën e Vilës së Zogut, mbetet e rrezikuar seriozisht jo vetëm gjatë dimrit, kur shirat nuk pushojnë, por edhe gjatë shirave pranverorë. Në 48 orët e fundit, shiu ka krijuar terrene të rrëshqitshme në kodër, duke rrezikuar banesat dhe objektet e ndërtuara vitet e fundit atje. E rrezikuar seriozisht mbetet edhe Vila e Zogut, ku megjithëse kambanat e alarmit kanë muaj që bien, duket se edhe pse dëmtimet e saj po duken çdo ditë, ndërhyrja mbetet ende larg. Vetëm 1 muaj më parë në Currila, buzë kodrës, u shemb një lokal dhe një vilë 2-katëshe, ndërkohë që mbi 274 banesa të tjera rrezikojnë shembjen çdo ditë.