Rama përuron lulishten mbrapa Piramidës
Rreth 100 m2 hapësirë e gjelbër i janë shtuar dje kryeqytetit, në zonën mbrapa Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Kryebashkiaku Edi Rama dhe ambasadori amerikan John Withers kanë përuruar sipërfaqen e re, duke theksuar rëndësinë e hapësirave të gjelbra për një qytet si Tirana. Rama tha: Parqet janë një kusht i domosdoshëm në drejtim të mbrojtjes së bukurisë së kryeqytetit tonë, ndaj është e rëndësishme të investohet në fuqizimin e tyre. Në këtë kontekst, një mjedis i ideuar nga vetë fëmijët, të cilët do të jenë edhe kujdestarët e tij, është rehabilituar në lulishten mbrapa Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Janë rreth 100 m2 sipërfaqe bari me forma gjeometrike të ndryshme, që u mbollën në këtë hapësirë, duke përçuar mesazhe për të gjithë komunitetin kryeqytetas, për një kontakt më të madh me natyrën si dhe për më shumë përkujdesje për të. Në kuadër të Ditës së Tokës, Bashkia e Tiranës ka nisur një fushatë sensibilizuese, nën sloganin Kujdesu për planetin Tokë, e cila me këtë rast i përgjigjet apelit për të ruajtur planetin Tokë, duke nënvizuar nevojën e ruajtjes së burimeve natyrore të Tokës e duke i shprehur njëkohësisht mirënjohjen planetit tonë, i cili mbështet të gjitha format e jetës. Në 22 prill të 1970-s, 20 milionë qytetarë amerikanë iu përgjigjën apelit të senatorit amerikan Gaylord Nelson, duke u mobilizuar në një manifestim historik, në mbrojtje të planetit Tokë.