E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, rrëshqitjet e tokës në Bago të Kavajës, të pastrehët banojnë në çadra

Personat e mbetur pa shtëpi për shkak të rrëshqitjeve të tokës muajin e kaluar në fshatin Bago të Kavajës, janë sistemuar në çadra. Ka qenë vetë kërkesa e banorëve për tu vendosur në çadrat që u vunë në dispozicion nga shtabi i emergjencave civile i krijuar fill pas katastrofës natyrore, në mesin e muajit të kaluar. Vendi që është zgjedhur nga komuna për instalimin e çadrave gjendet afër shtëpive të rrënuara, në një largësi prej rreth 500 metër ku ka ndodhur rrëshqitja. Janë 8 familje që janë sistemuar në çadrat e sjella enkas për këtë qëllim, ndërkohë që deri në këtë moment ata ishin sistemuar tek të afërm dhe fqinjët e tyre në fshatin Bago. Rritja e temperaturave ka krijuar kushtet që banorët që u goditën nga tekat e natyrës të mund të jetojnë normalisht edhe në çadrat që janë krijuar për këtë qëllim. Nga vlerësimet që janë bërë nga grupi për menaxhimin e situatës, 19 banesa janë përcaktuar të pabanueshme, por pjesa më e madhe e banorëve që janë pronarë të shtëpive të rrënuara, gjendeshin në Itali në kohën që toka pësoi rrëshqitje të mëdha. Nga ana tjetër, Shërbimi i Gjeologjisë nuk e ka dorëzuar ende raportin përfundimtar në lidhje me shkallën e dëmtimit të banesave që nuk janë rrëzuar. Ky shërbim duhet të japë edhe një mendim të saktë shkencor nëse vendi që komuna e Synejit ka përzgjedhur për ndërtimin e banesave të reja është në rregull dhe nuk ka probleme apo rreziqe që mund të shkaktohen nga rrëshqitjet e tokës. Banesat e reja pritet të ndërtohen aty ky janë vendosur çadrat, jo shumë larg nga banesat e vjetra, në rast se ekspertët e gjeologjisë mendojnë se ai vend është i pa rrezikuar nga fenomenet natyrore. Komuna e Synejit është duke menduar edhe në lidhje me rreziqet që i kanosen rrugës Bago-Bardhor për shkak të rrëshqitjes së tokës, e cila tashmë rrezikon seriozisht bazamentin e saj. E vetmja masë që mund të merret për momentin për këtë rrugë është vendosja e pilotave sizmike. Banorët në këtë zonë janë shprehur të zhgënjyer se nuk kanë patur mbështetjen e kryetarit të komunës Kryevidh, Arben Ajdini dhe deputetit të zonës Engjëll Cara. Kërkesa e banorëve të kësaj lagjeje për ndërhyrje për disiplinimin e ujërave që derdhen në tokën e pjerrët, nuk është miratuar për shkak të mungesës së fondeve. Banorët kanë deklaruar se nevojitet vetëm një investim i vogël, vetëm një tubacion që të mbledhë të gjitha ujërat në mënyrë që ato të mos derdhen në të gjithë gjatësinë e luginës, çka ka nxitur edhe rrëshqitjen. Në situatën që është krijuar banorët nuk dinë se ku të futen, pasi qëndrimi në banesat që janë më afër tokës që ka rrëshqitur, është mjaft me rrezik. Banorët nuk kanë mësuar asnjë reagim as nga nënprefektura e Kavajës, e cila minimalisht duhej të kishte ngritur shtabin e emergjencave civile në këtë rast, pasi kemi të bëjmë me një fatkeqësi natyrore.               

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›