E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, goditet grupi i trafikut klandestin, prangosen 3 persona

Një grup i mirëorganizuar që merrej me trafikimin e personave klandestinë, është lokalizuar nga Policia e Gjirokastrës. Operacioni i Koduar Parkimi i Fundit ka çuar në pranga tre anëtarë të këtij grupi që operonte jo vetëm në Gjirokastër por edhe në zona të tjera të vendit. Burimet policore kanë konfirmuar se gjatë orëve të mesditës së djeshme Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës, kanë arrestuar tre persona, konkretisht Marjana Nako, 33 vjeç nga Përmeti, Lame Dhandili, 48 vjeç dhe Artur Stroka, 37 vjeç të dy nga Gjirokastra.Grupi i trafikuesve të shtetasve klandestinë, drejtohej nga shtetasja Marjana Nako me banim në qytetin e Përmetit. Sipas të dhënave nga organi i akuzës klandestinët rekrutoheshin nga lidhjet e krijuara nga 33- vjeçarja me rrjetin e njerëzve të ngushtë që kishte krijuar në rrethet të ndryshme të vendit përfshirë këtu Dibrën, Durrësin, Beratin, Fierin, Lushnjën. Mekanizmi që përdorej për të transportuar shtetasit klandestinë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, është zbuluar vetëm gjatë një pune investiguese të ndërmarrë gjatë tre muajve të fundit. Klandestinët kaloheshin përmes kufirit jeshil në pikat kufitare apo pranë tyre në Tre Urat në Përmet dhe Kakavijë. Pazaret e kalimeve ilegale drejt Greqisë varionin nga 1800-2000 euro për person. Në veprimtarinë ilegale të kalimit të shtetasve përtej kufirit kundrejt shumave të lartpërmendura, Marjana Nako ndihmohej nga Dhandili dhe Stroka si dhe nga persona të tjerë të evidentuar, për të cilët policia po punon për dokumentimin ligjor të aktivitetit të tyre kriminal. Investigimi i këtij grupi në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës, kishte nisur muaj më parë dhe u finalizua vetëm ditën e sotme fill pas grumbullimit të provave ligjore në ngarkim të shtetasve të mësipërm. Sipas të dhënave nga policia, aktiviteti i ndërmarrë nga tre të arrestuarit, është ushtruar në mënyrë të vazhdueshme muajt e fundit duke ndihmuar për kalim të paligjshëm përtej kufirit dhjetëra shtetas. Sot provat ligjore të grumbulluara në mesditë, u paraqitën në Gjykatën e Faktit në Gjirokastër ku vendosi masën e sigurisë arrest me burg për të tre shtetasit e lartpërmendur për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim ilegal të kufirit me qëllim fitimin dhe në bashkëpunim. Pas përfundimit të këtij aksioni policia e Gjirokastrës në cilësinë e provës materiale ka sekuestruar 300 Euro, dy automjete konkretisht një KIA në pronësi të shtetases Marjana Nako me targa të huaja MYH 12 44 si dhe automjetin tip AUDI në pronësi të shtetasit Lame Dhandili me targë GJ 91 35 A së bashku me gjashtë aparate celularë të cilët përdoreshin nga personat e arrestuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

Last Updated on Friday, 24 April 2009 13:27

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›