E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, rritja e temperaturave, nën kontroll ëmbëlsirat dhe produktet e qumështit

Punishtet që gatuajnë ëmbëlsira dhe të gjitha lokalet e prodhimit të bulmetit i janë nënshtruar kontrollit higjieno-sanitar. Inspektoriati i ushqimit në Durrës së bashku me Drejtorinë e Shëndetit Publik kanë vendosur të kalojnë në çdo pikë të prerjes së mishit, skërmimit të qumështit, prodhimit të kosit, gjalpit, gjizës, djathit dhe të ëmbëlsirave. Rritja e temperaturave si dhe shtimi i rasteve në urgjencën e pediatrisë e patologjisë ka nxitur vënien në lëvizje të inspektorëve dhe epidemiologëve. Drejtoresha e DSHP, Lida Boshku ka theksuar se specialistëve të epidemiologjisë, të inspektoriatit të ushqimit dhe të tatimeve u është kërkuar para së gjithash respektimi i kushteve të punës si dhe procesi teknologjik i këtyre punishteve. Fillimisht janë marrë mostra ushqimesh dhe kampion uji të pijshëm për të vërejtur ngarkesën mikrobiologjike, por pa lënë mënjanë edhe teknologjinë e fermentimit apo të gatimit të nënprodukteve dhe gatimit të ëmbëlsirave. Gjatë dy ditëve të para një sërë pikash të prerjes së mishit në kushte johigjienike dhe jashtë standardeve të paracaktuara është vendosur bllokimi i aktivitetit. Specialistët kanë kërkuar procesverbalet dhe dokumentacionin e kryerjes dhe lëshimit të raportit nga mjeku veteriner, veprim që ka pasuar me këqyrjen e vulës në mishin për treg. Edhe stabilimentet e prodhimit të mishit do të kenë të njëjtin fat në ditët e ardhshme, ndërkohë që në DBU është thënë se stabilimentet në qarkun e Durrësit kanë standarde cilësore dhe të krahasueshme me ato të vendeve të tjera. Të gjitha brumërat dhe veçanërisht ëmbëlsirat janë bërë objekt i një vrojtimi të kujdesshëm për të shmangur helmimin e konsumatorit. Edhe stabilimentet e ruajtës dhe të tregtimit të peshkut kanë pasur të njëjtin fat. Inspektoriatit nuk ka bërë publik ndonjë raport të veçantë por ka pranuar se ka punishte e lokale që nuk plotësojnë standardët higjieno-sanitare. Nga ana tjetër një pjesë e këtyre aktiviteteve të cilat punojnë në të zezë për shkak të mosdeklarimit të aktivitetit dhe as të linjës së prodhimit, i janë shmangur kontrollit. Por drejtori i DBU-së Jonuz Tafili dhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetit Publik Lida Baoshku janë shprehur se çdo lokal apo punishte që është bërë përfshirë në projektin për tiu nënshtruar kontrollit të respektimit të standardeve do të monitorohet. Ndryshe të tilla aktivitete do të qëndrojnë të mbyllura përfundimisht pasi inspektorët nuk do të mbyllin kontrollin më kalimin rutinë por do i shkojnë deri në fund programit. Sipas DSHP në Durrës janë të gjitha mundësitë që të realizohen analizat e plota të ushqimeve dhe të ujit ngase ka një laborator shumë cilësor vet DBU, një tjetër DSHP dhe ujësjellësi nga ana vet. Autoritetet përkatëse nuk kanë dhënë ndonjë orientim se ku janë përqendruar më së shumti, por thuhet se gjitha zona e qendrës së qytetit, lokalet e punishtet përgjatë Plazhit, Shkëmbit të Kavajës e Golemit si dhe stabilimentet në periferi të Durrësit janë objekt i veçantë kontrolli. Harmonizimi i kontrollit mes mjekësisë, tatimeve, inspektoriatit ushqimor, ujësjellësit dhe njësive vendore pritet të dalë me një material lidhur me situatën në terren dhe masat konkrete së bashku me penalitetet e pritshme. Në Durrës në jo pak raste konsumatorët blejnë bulmet e mish në trotuar jashtë kushteve higjieno-sanitare apo janë dëshmitarë të prerjes së bagëtive në trotuare ashtu si dhe të shitjes së ëmbëlsirave në pluhur e baltë.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›