E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, nis aksioni për lirimin e plazheve publike

Bashkia urdhëron lirimin e plazheve nga çadrat dhe shazllonët privatë
Bashkia e Durrësit nis aksionin për lirimin e të gjithë hapësirës së rërës në plazhin e  Durrësit që është zënë në mënyrë të paligjshme nga subjekte private. Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka urdhëruar policinë bashkiake bashkë me rajonin nr 5 të bashkisë për të zbatuar këtë urdhër, i cili synon që hapësira publike të kthehet në shërbim të pushuesve. Për këtë arsye, një natë më parë në sektorin Hekurudha në plazhin  Durrësit, punonjës të policisë bashkiake dhe të ndërmarrjes komunale të Plazhit kanë sekuestruar të gjitha çadrat dhe krevatet që ishin vendosur në zonën që është caktuar si plazh publik. Tashmë sezoni turistik në Durrës ka hyrë në periudhën që vlerësohet si piku i sezonit, i cili zgjat zakonisht deri në dhjetë ditët e para të muajit gusht. Bashkia e Durrësit nëpërmjet kryetarit të saj Vangjush Dako pati deklaruar në fillim të sezonit turistik Verë 2009 se numri i plazheve publike dhe sipërfaqja e tyre do të mbeten të pandryshuar. Bashkia ka caktuar vendndodhjen e këtyre plazheve në sektorin Teuta, midis sektorit Hekurudha dhe Iliria dhe i treti gjendet në sektorin Liria midis dy pistave. Të tre këto plazhe kanë një gjatësi prej rreth 1100 metër linear me një sipërfaqe të përafërt prej 30 000 metra katror. Këto plazhe janë caktuar për pushuesit që nuk duan të pushojnë në krevate dhe çadra me pagesë, pasi marrin me vete çadrat e tyre. Në këtë kategori pushuesish futen kryesisht shqiptarët që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët përbëjnë gjatë gjithë sezonit shumicën dërrmuese të pushuesve në plazhin tradicional të Durrësit. Bashkia ka mundur të lirojë të tre plazhet publike pasi kishte njoftuar paraprakisht personat që kishin zaptuar plazhet publike se duhej ti lironin ato sa më parë, në të kundërt do të sekuestroheshin çadrat dhe krevatet që gjenden në këto zona. E megjithë paralajmërimet, asnjë reflektim nuk është bërë nga ta, ndërkohë që zgjidhja duket se po shkon me heqjen me forcë të këtyre sendeve. Nga ana tjetër në zonën e parë të cilësuar si plazh publik në sektorin Teuta vazhdon abuzimi me këtë hapësirë të destinuar për pushuesit, ku krevate dhe çadra të shumta kanë zënë të gjithë territorin e lirë për pushuesit duke i detyruar ata që të paguajnë tarifën 300 lekë në ditë për një çadër dhe dy krevate. Në mënyrë që të ulen kërkesat e subjekteve për plazhe private, bashkia ka aplikuar rritjen e taksave për këto lloj subjektesh. Një vit më parë bashkia e Durrësit  miratoi kërkesat e 94 subjekteve për plazhe private, duke i dhënë secilit prej tyre një sipërfaqe prej 200 metër katror secilit. Tarifa për këtë sipërfaqe që subjektet kanë paguar në bashki ka qenë 120 000 lekë për gjithë sezonin tre mujor, ndërkohë që këtë vit bashkia ka vendosur që tarifa të rritet me 30 000 lekë më shumë. Vija bregdetare e plazhit të Durrësit nis nga Ura e Dajlanit dhe përfundon në afërsi të vilave qeveritare në Plepa. Ajo ka gjatësi 3.2 km dhe sipërfaqe totale 17.2 hektarë.

Last Updated on Sunday, 12 July 2009 17:22

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›