E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ rrëzon me shumicë votash ankimimin e Partisë Konservatore, për Durrësin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi gjatë ditës së djeshme në ankimimin e paraqitur nga Partia Konservatore për rivlerësim të votave të saj në zonën zgjedhore të Qarkut të Durrësit, me argumentin si të pambështetur në prova konkrete dhe në ligj. Partia Konservatore, në objekt të kërkesës së saj kishte edhe rrëzimin e vendit të ndërmjetëm që kanë marrë 4 KZAZ të qarkut të Durrësit, respektivisht KZAZ nr. 8, 9, 10 dhe 11, si dhe kundërshtimin e vendimmarrjes së KQZ për miratimin e tabelave përmbledhëse për KZAZ në fjalë. Pas diskutimeve të ashpra prej më shumë se 4 orësh KQZ përdori forcën e shumicës së votave për ta rrëzuar këtë kërkese, me argumentin se kjo parti nuk ka prova konkret për shkeljet që ajo pretendon se ka konstatuar gjatë procesit zgjedhor. Pra, me vendimin e ndërmarrë dje KQZ lë në fuqi tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun e Durrësit, pa i ndryshuar ato. Për rrëzimin apo miratimin e kësaj kërkesa debate lindën si gjithmonë midis socialistëve dhe demokratëve në KQZ. Përfaqësuesit socialist paraqitën argumentet e tyre quke e quajtur si të ligjshme kërkesën e Partisë Konservatore, ndërsa demokratë të kundërtën. Në fillim të seancës së djeshme, përfaqësuesit ligjor të PD dhe PS në KQZ, bënë një kërkesë për të marrë pjese në çështje si palë të interesuara.  Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti, duke kundërshtuar ankesën e subjektit në fjalë, tha se në të mungojnë  provat që të dëshmojnë shkeljet e konstatuara, ndërkohë që sipas tij, pretendimet duhen provuar. Nga ana e saj, nënkryetarja e KQZ, Dëshira Subashi, u shpreh në mbështetje të ankimimit të Partisë Konservatore, duke kërkuar nga Komisioni administrimin në cilësinë e provës së filmimeve të grupit të numërimit të votave, proces ku subjekti pretendonte për parregullsi.  Por kjo kërkesë e saj u kontestua nga përfaqësuesi tjetër i PD pranë KQZ, Oert Bylykbashi, duke e cilësuar atë një kërkesë që destabilizon procesin. Jemi para një tentative në keqbesim, për të sabotuar procesin dhe për ta bërë pis atë, për daljen nga binarët e ligjit. Ne jemi këtu për të mbrojtur standardet dhe asnjë anëtar i KQZ nuk mund të marrë veprime në keqbesim për të destabilizuar procesin, u shpreh Bylykbashi. Kjo deklaratë e përfaqësuesit të PD ngjalli reagimin e palës tjetër, duke e konsideruar atë një presion ndaj Komisionit. Përfaqësuesi i PD e tejkaloi dukshëm detyrën e tij, duke më kujtuar se po zvarris e destabilizoj procesin. Këto janë fjalë të partive politike që nuk thuhen dot në tavolinën e KQZ-së. Ju nuk keni të drejtë të më kërcënoni dhe as të më bëni presion. Kam bindjen se prova filmike që po kërkoj do t'i shërbejë sqarimit të një ankimimi, tha nënkryetarja e KQZ-së, Subashi, duke iu drejtuar përfaqësuesit ligjor të PD. Nga ana e tij, Kryetari i KQZ, Arben Ristani, iu përgjigj reagimit të Subashit, duke thënë se Komisioni nuk është kërcënuar dhe secili flet mbi bazën e ligjit. Ajo që ju thoni është abuzim, mendimi juaj është i juaji, por pa ju imponuar KQZ, tha Ristani.       

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›