E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, vonesa në legalizim, arkëtime të pakta



ALUIZNI Durrës u ka bërë thirrje gjithë aplikantëve të paguajnë detyrimet e tyre financiare për t’u pajisur me tapitë e objekteve që do të legalizohen. Sipas Andi Lilës, drejtorit të ALUIZNI-t, “banorët e ish-Kënetës të cilët kanë aplikuar për të legalizuar shtëpitë e tyre të ndërtuara pa leje, ende mendojnë se shteti do të ulë çmimin e tokës dhe të banesave. Ky është shkaku që pjesa më e madhe e tyre nuk janë paraqitur në agjenci për të paguar paratë e për të siguruar tapitë e banesave”. Ndërkohë që banorët e Durrësit, të cilët kanë ndërtuar pa leje apo kanë shtuar kate pallatesh, janë të gatshëm të paguajnë për të siguruar legalizimin. Po mbushen dy vjet qëkurse ALUIZNI i dha fund pranimit të aplikimeve për legalizimin e banesave të ndërtuara pa leje. Që nga ajo kohë, kjo agjenci ka përgatitur disa mijëra dosje, sipas të cilave, banorët mund të paguajnë paratë dhe të bëhen pronarë të ligjshëm të banesave të tyre. ALUIZNI punoi paralelisht në dy fronte pune, përgatiti dosjet për ndërtimet në ish-Kënetë, si dhe për një pjesë të atyre që kanë ndërtuar brenda në qytet. Por kur pritej që në sportele të kishte dyndje, situata paraqitet e qetë. Banorët e ish-Kënetës qëndrojnë në pritje për uljen e çmimeve të tokës dhe të sipërfaqeve të banimit në një kohë që shoqata e pronarëve kërkon vlerësimin e tokës së tyre me vlerën e tregut. Ndryshon puna me ata që kanë ndërtuar brenda në Durrës. Një pjesë ka ndërtuar pa leje në tokat e tyre, e një pjesë në pronë publike. Të tjerë kanë ndërtuar pa leje shtesa pallatesh, të tjerë shtesa katesh në pallate të ndërtuara në kohën e demokracisë. E gjithë kjo kategori është e gatshme të paguajë për të legalizuar. Por është ALUIZNI ai që për këtë kategori ka bërë kujdes. Po trajtohen vetëm ata që kanë ndërtuar në trojet e tyre, si dhe shtesat e pallateve të kohës së diktaturës, ndërsa të tjerët duhet të presin ende.

Zyrtarët e ALUIZNI-t shprehen se “ka ardhur koha që të ketë një tjetër strategji për të bindur banorët e ish-Kënetës që të paguajnë e të legalizohen”. Lila deklaroi se “vetëm puna bindëse është i vetmi mjet për t’i vënë ata në lëvizje. Për këtë qëllim punonjësit e agjencisë të ndarë në grupe do të gjenden në ish-Kënetë dhe do të bëjnë punë bindëse me banorët e zonës që ata të paraqiten për të paguar detyrimin përkundrejt sigurimit të tapive”. Në ish-Kënetë janë regjistruar për legalizim 9.800 shtëpi pa leje. Numri i atyre që kanë paguar detyrimin dhe janë transformuar në të ligjshëm është thuajse i pallogaritshëm në raport me pjesën tjetër. Ndërsa banorët e Durrësit kanë ndërtuar 100 shtesa pallatesh dhe 300 shtëpi pa leje.

Durrës, PD-LSI marrin shumicën e Këshillit Bashkiak

Socialistët dalin në pakicë, dy anëtarë të PS-së kalojnë me LSI-në, në mbështetje të Lefter Kokës

Aleanca e Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike për formimin e qeverisë është duke u shtrirë edhe në nivelin lokal. Në Këshillin Bashkiak të Durrësit këshilltarët e djathtë pritet të përforcojnë dukshëm pozitat e tyre, edhe pse më parë ishin në mazhorancë. Nga 24 anëtarë të partive të djathta që kishte PD me aleatët e saj para zgjedhjeve të 28 qershorit, tashmë këtij numri pritet t’i shtohen edhe 5 anëtarët e LSI-së, si dhe 2 të tjerë që ikën nga grupi i PS-së në mbështetje të deputetit të LSI-së, Lefter Koka. Në total PD duket se do të ketë në mbështetje 31 këshilltarë gjithsej, ndërsa për PS dhe aleatët e saj mbeten vetëm 14, nga 21 që kishte më parë. Shumë shpejt pritet të zhvillohet mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Durrësit, nga një ndërprerje prej më shumë se 4 muajsh. Në mbledhjen e radhës pritet që PS të zëvendësojë vendet e këshilltarëve që ikin nga ky këshill: Gazmir Bizhga për shkak se ka fituar mandatin e deputetit, kurse Sotir Ngresi për arsye se është bërë drejtor i Ndërmarrjes së Rrugëve të Bashkisë, vend që mbeti i lirë pas ikjes së Edmond Jazexhiut. Edhe grupi i PD-së pritet të zëvendësojë Igli Carën me një tjetër anëtar, pasi ky i fundit u zgjodh deputet në listën e kësaj partie në Qarkun e Durrësit. Kryetari i Këshillit Bashkiak të Durrësit, Zamir Ramadani, është shprehur se “mbledhja e Këshillit Bashkiak do të mbahet brenda kësaj jave dhe një nga pikat më të rëndësishme do të jetë problemi i banesave për personat e pastrehë”. Siç dihet, dy pallate me 48 apartamente gjithsej kanë përfunduar në Shkozet dhe dhjetëra të pastrehë në Durrës kërkojnë të përfitojnë një nga këto apartamente. Projektvendimi për ndarjen e apartamenteve ka kaluar nga njëra mbledhje në tjetrën dhe këshilli nuk ka mundur të arrijë në një konsensus për ndarjen e tyre, duke shmangur në një farë mënyre edhe forcën e kartonit për të vendosur rreth kritereve dhe listës përfundimtare të 48 emrave. Miratimi i këtij projektvendimi pritet që të pasohet nga disa projekte të rëndësishme të bashkisë që kanë mbetur pa marrë OK-in e Këshillit Bashkiak për shkak të ndërprerjes së gjatë të tij që erdhi si rezultat i situatës para dhe pas zgjedhore si dhe nga pushimet e verës në muajin gusht. Miratimi i projekteve të rëndësishme duket se do të jetë tërësisht në dorën e aleancës së re të krijuar midis PD-së dhe LSI-së. Të dyja partitë që janë futur tashmë në koalicion qeverisës në nivel qendror dhe lokal, janë duke diskutuar edhe ndarjen e posteve në lidhje me emërimin e drejtorëve të rinj në ministritë që tashmë i drejton LSI. Si fillim mendohet të bëhen ndryshimet në spitalin rajonal. Drejtori aktual i spitalit, Neritan Myderrizi, flitet se do të zëvendësohet nga Andi Shahini, i cili ka qenë një nga kandidatët e LSI-së për Qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 28 qershorit. Pas ndryshimeve në drejtorinë e spitalit pritet që e njëjta gjë të ndodhë edhe me Drejtorinë e Kujdesit Shëndetësor Parësor, atë të Shëndetit Publik, Drejtorinë e Higjienës dhe Epidemiologjisë dhe të gjitha drejtorive që varen nga Ministria e Shëndetësisë. Ata janë gjithsesi specialistë të emëruar në këto detyra në mandatin e parë të qeverisjes së PD-së. Personat që priten të largohen kanë marrë garanci për t’u punësuar diku tjetër. Gjithsesi kjo do të varet nga fakti se sa e thellë do të jetë reforma në drejtoritë vartëse të ministrive pas miratimit ne Kuvend të qeverisë së re. Një gjë është e sigurt, në çdo lëvizje gjithmonë do të ndiqen kriteret profesionale dhe aspak përkatësia politike.

Durrës, instalohen taksimetrat në taksi

Shteti i ka shpallur luftë të hapur piraterisë edhe në transportin privat siç janë taksitë që punojnë në plotësimin e nevojave të popullatës, duke u vendosur atyre edhe me detyrim ligjor taksimetrin. Por edhe pse strukturat qeverisëse, vazhdojnë të zbatojnë masat ligjore ndaj taksistëve private, shumë private të këtij sektori vazhdojnë të qetë të spekulojnë. Qysh nga e hëna, ka nisur puna për instalimin e taksimetrave në të 260 taksitë 4+1 të Durrësit, proces ky që do të përfundojë brenda këtij muaji. Një masë e tillë ka për qëllim që të mbrojë konsumatorët nga pagesat e tarifave mbi normën e përcaktuar. Nisur nga situate e krijuar nga spekulantët, shoqata e taksistëve ka zhvilluar një takim mirëkuptimi, ku morën pjesë një numër i madh i taksistëve të Durrësit, si dhe nga Policia e Qarkullimit Rrugor. Në takim u tha se “brenda shtatorit të gjitha taksitë e licencuara duhet të jenë të pajisura me taksimetra, pasi deri sot vetëm 12 prej tyre punojnë me këtë aparaturë matëse e detyrueshme ligjërisht”. Inspektorët e Policisë së Qarkullimit Rrugor u shprehën se “për të gjitha taksitë 4+1 të Durrësit ka nisur procesi për instalimin e taksimetrave, nga ana e tyre, inspektorët e kolaudimit të makinave po kontrollojnë llojet e taksimetrave të vendosur nga taksistët, ajo pajisje koston 220 euro”. Taksistët durrsakë realisht janë “pro” për vendosjen e taksimetrave, fenomen ky që ngjet në të gjitha vendet e tjera, por ata janë deklaruar kundër disa elementëve teknikë. Kështu taksistët kundërshtojnë tarifën e vendosur për 2 kilometra e para. Sipas tyre, ajo është shumë e lartë dhe largon klientët e distancave të largëta. Për 2 kilometrat e para, klienti është i detyruar të paguajë 300 lekë për km. Një masë e tillë largon klientët të cilët dëshirojnë të lëvizin në brendësi të qytetit, pasi institucionet ndodhen në një rreze të ngushtë. Më pas tarifa ulet në mënyrë graduale në raport me distancën që do të përshkohet. Por taksistët nuk kanë harruar të deklarohen kundër taksive pirate, të cilat punojnë pa licencë dhe konkurrojnë në mënyrë të pandershme këtë shtresë që zbaton ligjet e shtetit. Në Durrës numërohen për vitin 2009, plot 260 taksi të licencuara si 4+1, por edhe shumë prej tyre ushtrojnë këtë profesion me forma të paligjshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›