E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin kontestimet, socialistët kërkojnë hapjen e kutive



Edi Rama përfshihet në një proces të dyfishtë kontestimesh për standarde zgjedhjesh. Ndërkohë që ai vazhdon të kontestojë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, nuk ka arritur të bindë dot partinë e tij se zgjedhjet që e ribënë kryetar janë të standardeve të duhura. Sipas burimeve nga drejtuesit e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, ka shumë argumente dhe fakte që krijojnë mosbesim në mënyrën e organizimit dhe mbarëvajtjes së procesit të votimit. Kështu, kjo lëvizje që shtrihet në të gjitha rrethet, pritet të bëjë të ditura në vazhdim kontestimet e saj ndaj këtyre zgjedhjeve që i dhanë Ramës, sipas rezultatit zyrtar, një mandat të ri katërvjeçar me 93 për qind të votave të anëtarësisë së PS-së. Socialistë nga qarqet Korçë, Durrës, Fier, Shkodër e Tiranë do të kërkojnë rihapjen e kutive të votave, me pretendimin se ka falsifikim në këtë proces. Kritikët e Ramës pretendojnë se lista e publikuar nga PS para zgjedhjeve me 83 mijë anëtarë është fiktive, pasi vetëm dy muaj më parë kjo listë kishte më pak se 70 mijë vetë. Në këtë mënyrë, ata ngrenë dyshime në shtimin e anëtarësisë në mënyrë jonatyrale dhe pretendojnë se në lista janë futur emra emigrantësh dhe janë hedhur votat në emër të tyre. Për të vërtetuar akuzën e tyre, ata kërkojnë verifikimin e listës së anëtarësisë. Ndërkohë dje PS ka nxjerrë rezultatet zyrtare të zgjedhjeve, të cilat ashtu siç priteshin, s’kanë sjellë surpriza, duke nxjerrë fitues të thellë Ramën në raport me Lakrorin.

Rezultatet zyrtare

Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë Socialiste të Shqipërisë njoftoi dje se “nga informacioni paraprak jozyrtar rezulton se në zgjedhje morën pjesë rreth 56.000 anëtarë të PSSH-së. E shprehur në përqindje, pjesëmarrja e anëtarëve të PSSH-së rezulton se në këto zgjedhje ishte mbi 65%. Për kandidatin Edi Rama kanë votuar rreth 51.000 anëtarë ose rreth 93% e anëtarëve pjesëmarrës në votim, ndërsa për kandidatin Maqo Lakrori kanë votuar rreth 3.700 anëtarë ose rreth 6.7% e pjesëmarrësve në këtë proces. Janë administruar procesverbalet dhe dokumentacioni zgjedhor i 20 komisioneve zgjedhore rajonale, materiale të cilat janë duke u administruar konform rregullave të Kodit Zgjedhor nga ky komision. KZP është në pritje të dokumentacionit edhe të 17 rretheve për shkak të largësisë”. Gjithashtu, ky komision që funksionon në selinë e PS-së nuk ka të dhëna për parregullsi. “Nga të gjitha vëzhgimet dhe informacionet e ardhura pranë Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë, është konstatuar se procesi është zhvilluar në normalitet të plotë dhe tërësisht në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Zgjedhjeve të PSSH-së”, - thuhet në njoftimin e KZP-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›