E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrësi i gatshëm për festivalin e filmit

Nga Express më 11 gusht 2011 në ora 09:04

Edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, sivjet mbahet nga data 27 gusht e deri më 2 shtator.

Në konkurrim do të jenë prodhime të ndryshme të kinematografisë botërore, megjithëse, sipas organizatorëve, edicioni i katërt i festivalit do t’i dedikohet kinematografisë turke dhe asaj amerikane.

Në shtatë ditët e kohëzgjatjes së festivalit, pjesë të tij do të shfaqen edhe në katër qytete të tjera të Shqipërisë, në Tiranë, Vlorë, Pogradec dhe Sarandë.

Ndërkaq, sa i përket kritereve në përzgjedhjen e filmave evropianë, organizatorët duket se kanë preferuar temat politike, sociale dhe ato ekonomike.

Nga prodhimet e kinematografisë shqiptare do të shfaqen premierat e dy filmave, megjithëse jashtë konkurrimit zyrtar.

Paralelisht, nga organizatorët po ashtu është konfirmuar se festivali këtë vit do të nderojë aktorin e njohur shqiptar, Vangjush Furxhi. Kur krejt kësaj t’i shtohen edhe paralajmërimet për ardhjen e të disa emrave të njohur të kinematografisë botërore, Durrësi duket të jetë i gatshëm për film.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›