E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzeu Kombetar turistet aziatike me te interesuarit

40 mijë turistë vizitojnë Muzeun Historik Kombëtar çdo vit. Specialistët muzeolog pohojnë se veçoria e vizitueshmërisë dy vitet e fundit është, shtimi i numrit të turistëve nga kontinenti aziatik, por edhe diaspora shqiptare.

“Unë vij nga Kosova. Gjatë luftës unë dhe familja ime shkuam në Amerikë. S’kemi pasur rast deri tani të shohim asgjë konkretisht lidhur me Shqipërinë. Gjithçka që kemi ditur e kemi mësuar nga librat, nga historia”-thotë një turist nga Kosova, i emigruar në SHBA.

“Është bukur të njohësh historinë e Shqipërisë, duke filluar me ilirët në pavionin ku jemi. Mendoj se edhe ne italianëve duhet të na interesojë pasi kemi pasur gjithmonë të bëjmë me pjesë të historisë së Shqipërisë”-thotë një turist italian.
 
Pavionet më të preferuara mbeten ata me objekte siç është ai i arkeologjisë, por kërkesat janë të shumta për pavionin e krimeve të periudhës komuniste, për të cilën specialistët thonë se po punohet.

“Me interes do të jetë edhe pavioni i terrorit komunist në Shqipëri. Të themi të drejtën ky pavion ka qenë, por para dy vjetësh e gjysmë u bë një ndërhyrje që nuk duhej bërë. Pavarësisht kësaj, tani jemi në ristrukturimin e këtij pavioni. Janë bërë tenderat dhe mendojmë që deri në fund të vitit, ky pavion me një sipërfaqe 450 metër katrorë, të funksionojë. Ajo kërkohet nga shumë të huaj, por kërkohet edhe nga vendasit”-tha muzeologu, Fredi Gusho.

Muzeu Historik Kombëtar është ndër të paktat destinacione turistike të kryeqytetit shqiptar, por krahasuar me vendet e rajonit dhe Europës, ai mbetet ende i mangët në plotësimin e pavioneve, siç është ai i etnografisë i cili tashmë ka mbetur peng i procedurave gjyqësore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›