E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrësi më i bukur nëntokë

Nën çdo gërmim për hapjen e themeleve të pallateve po dalin vlerat e jashtëzakonshme të Dyrrahut (Durrësit të sotëm), duke forcuar mendimin dhe parashikimin e babait të arkeologjisë, të ndjerit Vangjel Toçi, se “ky qytet bukurinë e ka nën tokë, atë çfarë ne kemi akoma pa zbuluar”. Gërmimet e makinerive të rënda të firmave të ndërtimit nxjerrin vazhdimisht objekte me vlerë, të cilat shpesh po bien në duart e matrapazëve dhe atyre që nuk dinë t’i njohin dhe interpretojnë ato shkencërisht. Vetëm 8 muaj më parë, u zbulua një kokë luani dhe një fazan nga një piktor, i cili duke ditur rëndësinë e tyre, ka njoftuar menjëherë Institutin Arkeologjik dhe specialistët, duke i shtuar fondit vlera të papërsëritshme botërore. Nga dherat e gërmimeve të firmave të ndërtimit dalin vazhdimisht objekte me vlerë, të cilat bien edhe në duar joprofesionistësh. Gjetjet e fundit janë një kokë luani dhe një fazan, fatmirësisht të zbuluara nga një piktor. Dy objekte të rëndësishme arkeologjike janë gjetur mes dherave të gërryera me ekskavatorët e subjekteve ndërtimore në qytetin e Durrësit. Zbulimi i papritur është meritë e piktorit Ruzhdi Raklli, kurse vendi ku ato u gjendën pas gërmimeve është zona e Currilave, e pikërisht tek Bërryli. Objektet arkeologjike me vlera të çmuara janë prej mermeri, sipas specialistëve me përvojë ato datojë si punime të periudhës romane, përkatësisht të shek. II-III të erës sonë. Gërmimet e nxjerra nga firmat ndërtimore është kthyer tashmë në një moment zbulimi të çdo vlere. Kujtojmë gjithashtu se 4 vjet më parë, bashkë me masivin e dherave pas gërmimit, një subject ndertimor, ka hedhur diku pranë autostradës Durrës-Tiranë vlera të jashtëzakonshme, por që fatmirësisht ato u gjendën nga banorët e Sukthit dhe u shpëtuan duke u radhitur në Muzeun Arkeologjik. Objektet e gjetura mes gërmimeve, shpesh përfundojnë në duart e qytetarëve, por që shpesh kanë marrë rrugët e përtej kufijve tanë. Një nga objektet e zbuluara është kokë luani, që bën pjesë në atë kategori objektesh, që cilësohen si “koka bakike ose fontanë”. Ajo mund të ketë shërbyer si një “çezmë publike” ose si një objekt zbukurimi në fontanën e ndonjë vilë të shtresës së pasur të aristokracisë së asaj periudhe. Mermeri është i një cilësie shumë të lartë. Arkeologu Ilia Toçi (vëllai i të madhit Vangjel Toçi) u shpreh se “materiali me të cilin është gdhendur koka e luanit, ka shumë mundësi që të jetë mermeri i famshëm i Karrarës, datimi i tij paraprak përkon me periudhën e përcaktuar si periudha e “bumit” ekonomik të qytetit”, sipas tij, “ka shumë mundësi që objekti të jetë prodhim i studiove të artistëve, që i përkasin shek. I- II, një periudhë ku Durrësi kishte një “brom” të madh ekonomik”. Kurse Afrim Hoti, arkeolog pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit, ka deklaruar se “gjatë shek. I e II në qytet u ndërtuan rrugë të reja, amfiteatri, tempuj, ujësjellësi, vila luksoze të shtruara me mozaikë”. Ndryshe nga ai Toçi thotë se “koka e luanit mund t’i përkasë periudhës së Perandorit romak, Adrianit, periudhë që u shoqërua me ndërtimin e Ujësjellësit të Durrësit, veprës më të madhe inxhinierike të zbuluar në Shqipëri”. Sipas studiuesve, “në tubat prej plumbi të këtij ujësjellësi janë hasur mbishkrime të derdhura me emrin e Perandorit Adrian. Ilia, e ka vlerësuar me admirim këtë kryevepër të artit të lashtë dhe për fat të keq, civilizimi i sotëm nuk e vlerësoi, ndaj ky punim është tregues i nivelit të lartë të kulturës, pasurisë ose potencës ekonomike të qytetit antik. Në Durrës ka 3 objekte të tilla që simbolizojnë ujin, familjet me nivel më të ulët ekonomik kanë përdorur edhe objekte me gur gëlqeror të kohës antike. Skulptura tjetër prej mermeri që përfaqëson një shpend, është një mrekulli mahnitëse, ajo është figura e një fazani. Ajo është e rrallë në llojin e vet. Fazani i skulpturuar mbi mermer pak a shumë ka formën e një veze të madhe, ku në afërsi të qafës ka disa objekte edhe ato në formë vezore me një kordon që i qarkon. Ajo mund të jetë ose pjesë e kontureve të një shporte ose ka arsye se mund të jetë vezore me vezët riprodhuese në zhvillim. Edhe fazani (që duhet të jetë femër në këtë rast) është gdhendur mbi një mermer me nuancë të lehtë blu, që është karakteristike e mermerit të Karrarës. Specialistët shprehen se “firmat gjatë gërmimeve gjejnë vlera të patjetërsueshme që vërtetojnë edhe një herë qytetërimin e lashtë ilir në këto zona, ndaj duhet të kujdesen që të mos dëmtohet asnjë prej tyre, Durrësi antik është ende pa zbuluar, ai është një perlë e vërtetë, një risi për turizmin në Shqipëri”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›