Si mund të bëhesh dramaturg në Tiranë!
Disa vite më parë, kur Erand Sojli ishte ende student, më dorëzoi me drojë e në mirëbesim, si shumë autorë të rinj, një dramë të vetën. E lexova me kureshtje dhe vura re shkëndijat e një dramaturgu të ri, gjë që më gëzoi pa masë në situatën e mungesës, thuajse zhdukjes së kësaj specieje në teatrot shqiptare. Kjo aftësi, jo e kudogjendshme ndër studentët që mbarojnë me shumicë Akademinë e Arteve, vit pas viti erdhi tek ai duke u njëmendësuar si e tillë dhe, në disa raste, kam pasur mundësinë të shoh disa tekste të tij, që mëtojnë vërtet cilësi letrare dhe teatrore. Me tekstin e fundit “Drejt lirisë” ai duket se shkon edhe më tej. Një tekst që na la mbresa të gjithëve dhe kur diçka ujdiset mirë në furrën e artit dhe fantazisë, edhe përgëzimet nuk mungojnë. Po, ishte një tekst i përpunuar mirë nga fushëpamja skenike teatrore.
I ngopur me detaje e gjetje mbresëlënëse, falë kjo edhe një regjisure të zgjuar dhe asociative prej Robert Budinës, i cili përnxiti e zgjoi tek publiku ndjesi, emocione dhe mendime për realitetet sociale, politike, sikurse dhe ato psikologjike e shpirtërore, që përjetojnë shqiptarët kohët e fundme. Krejt shfaqja është një prerje ironike, ngritur mbi shtresime të kudogjendshme të satirës politike, e cila, herë-herë, kalon në sarkazmën e hidhur e të pamëshirshme mbi deformacionet e prejardhura, disa me karakter etnik e disa syresh prej trysnisë së faktorëve politikë e historikë para dhe pas viteve ‘90. Synohet njëfarë “enciklopedie” e vuajtjes së shqiptarëve për të prekur Edenin e munguar, Evropën e lirë, të qytetëruar dhe të kamur. Kjo e gjitha vjen në formën e një rrugëtimi, pra njëfarë “Odiseje”, por tashmë jo drejt Itakës së tyre, por përtej saj, ku Itaka duket se është ëndrra e ndaluar, Evropa dhe liria. E para gjë që më vjen ndërmend të vlerësoj, pra, në tekstin e Erand Sojlit është pikërisht guximi. Guximi artistik i humoristit për të shigjetuar anë negative me mbarsje të rrezikshme sociale e politike. Guximi për të demistifikuar idolet duke i paraqitur ata në banketin e së keqes, demagogjisë, mashtrimit, sikurse iluzionet dhe autosugjestionin tonë si bashkësi, duke mbetur gjatë robër të mashtrimit dhe vetëmashtrimit. Më konkretisht, në shfaqje më bëri përshtypje kritika e hidhur lidhur me raportet e lirisë sonë me ata që e ngulfatin dhe e deformojnë, me pushtetarët e djeshëm dhe ata të sotmit, të cilët, me qëndrimet e papërgjegjshme, demagogjitë, gënjeshtrat, spekulimet politike, korrupsionin, hajdutërinë etj., na kanë çuar shpesh në dëshpërim, sepse aspirata e kahershme e shqiptarëve për të prekur lirinë, për të mbërritur në trojet e saj të lumnueshme, është tradhtuar shumë herë nga politikat jovizionare, dritëshkurtra dhe me qasje rëndom bizantiniste, pasojat e së cilës i kanë vuajtur dhe vazhdojnë t’i vuajnë shqiptarët. E dyta gjë, që desha të vija në dukje, ishte forma sugjestive përrallore e “kecave me ujkun”, tashmë në formën e kundërshtisë (kontrapunktit), ku kecat e pafajshëm nënkuptohen vendet e Evropës Perëndimore, kurse ujqërit s’janë veçse shqiptarët e ngujuar, deri tek ai më i fundit. Në trajtën e një shakaje parabolike, në fund të udhës për të mbërritur në sallonet plot tapetë e luks të “kecave”, këta “ujqër” shqiptarë të arratisur pyjeve, konvertohen në keca (le të kujtojmë sloganet e stërkonsumuara dhe agresive të komunizmit grotesk shqiptar, kur “ujqërit” e dikurshëm imperialistë na paskëshin rrethuar neve, kështjellën e pamposhtur të socializmit).
Shfaqja “Drejt lirisë” të sjell rishtazi ndërmend trumat e traumatizuara të shqiptarëve, të cilët, nga mungesa e lirisë dhe varfëria e skajshme, u turrën udhë e pa udhë, në eksodin e tyre biblik, drejt vendeve të Evropës Perëndimore, duke vuajtur mosbesimin dhe skepticizmin e tyre, si pasojë kjo e prapambetjes sonë historike, e paaftësisë për t’u integruar, e mangësive të trashëguara etj.
E treta, që desha të vija në spikamë, është mprehtësia e autorit, duke nënkuptuar këtu fjalët dhe replikat e zgjuara, inteligjente, që mbushin tekstin, më së shumti të dhëna në formë kontrapunktesh, antinomish, të papriturash, prej nga buron lirisht e qeshura, bashkëshoqëruar nga situatat e këndshme humoristike.
Erand Sojli ishte, sakaq, edhe interpretuesi brilant i tekstit të vet. E konceptuar si një pamflet sarkastik humoristik (s’ka fort rëndësi përcaktimi i zhanrit), aktori s’duket aspak i joshur nga elementet e jashtme e spekulative të humorit. Përkundrazi, duke vepruar drejt si me logjikën e fjalës, ashtu edhe me përthyerjet e veprimit skenik, si me theksat e vendosur qartë, ashtu edhe me begatinë e elementeve plotësuese, sikurse qenë, ndër të tjera, edhe përpunimi i mirë plastik i lëvizjes, i gjestit, koreografia e mizanskenës, pantomima, kënga, funksionalizimi i objekteve të rekuizitës me çantat e shumta të përfaqësuara si njerëz dhe karaktere të ndryshme, E. Sojli e dëshmoi veten para publikut si një aktor komik i kompletuar, që operon njëherit me shumë qasje e mënyra. Ai, falë imazhit filmik, solli njëherësh edhe disa figura të realizuara me sqimë, si korrespodentët televizivë, sekretarinë e agjencisë së fluturimeve etj. Apoteoza e tij aktoriale, gjithmonë e paraparë nën vështrimet ironike e sarkastike, më duket se mbërriti në disa kulme, çka u pa edhe nga reagimi i spektatorëve, si në festivalin e teatrove në Gjilan, ashtu edhe në festivalin e teatrove në Therandë, Suharekë. E. Sojli ka aftësinë e improvizimit dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me publikun, të reagimit në kohë me të, duke qenë në formatin më të mirë të një shoumeni.
Doemos, mund të bëhen edhe disa sugjerime, në të mirë të kësaj shfaqjeje të mirëpritur. Më kryesorja që do të desha të thosha, është tepria, zgjatja, riciklimi i gjësendeve, sadoqë në të tjera karaktere a rrethana. Ai luajti i vetëm mbi një orë e gjysmë para publikut dhe e mbajti shfaqjen. S’është aspak e lehtë. Aktorët e dinë mirë këtë. Megjithatë, gjykoj se mund dhe duhet të bëhen shkurtime, atje ku ka përsëritje motivesh apo ndërhyrje elementesh të tjera, që nuk është se shtojnë ndonjë gjë ndryshe a të veçantë. Bie fjala, përsëritjet e reagimeve të katër personazheve në vendin e kontrollit, në aeroportet e ndryshme (Shqipëri, Slloveni, Francë). Mund të reduktoheshin në gjërat më shënjuese fjale, fjali a vlerësime, sikurse situata që përsëriten dhe të mbahen ato ku humori buron më natyrshëm. Ndonjë papastërti në lojën me valixhet si personazhe edhe mund të evitohej, ashtu sikurse mund të begatohej shfaqja, tutje mesit të saj, me ndonjë gjetje tjetër regjisoriale asociative, që përputhej me kalvarin dhe picirin e shqiptarëve drejt Evropës. Po ashtu, jam i mendimit se duhet mbajtur nën kontroll tundimi për të prekur gjithçka nga dukuritë negative dhe përvuajtjet e shqiptarëve për të prekur Evropën, pra lirinë, gjithë odisenë e tyre, sa për të qarë, aq edhe për të qeshur, për të siguruar një vizë, pra për të ndërtuar një jetë më të mirë.
Kam përshtypjen se kjo shfaqje do të vjelë bukur mirë vëmendjen dhe duartrokitjet e spektatorëve, qoftë sa i takon problematikës me prekjen e disa plagëve që ende dhembin, qoftë me realizimin skenik dhe lojën e bukur të Erand Sojlit.