E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikatat në Durrës japin alarmin, fasonët diskriminojnë të punësuarit

Sindikatat e Bashkuara në Durrës kanë dhënë alarmin lidhur me diskriminimin që po u bëhet prej kohësh grave, vajzave dhe të punësuarve në industrinë e tekstileve, e cila ka shtrirë degët e saj në afro 12 pika në krejt qarkun. Sipas sindikatave, “jashtë skemës së sigurimit shëndetësor e shoqëror janë lënë një pjesë e madhe e të punësuarve në industrinë e tekstileve në Durrës, e cila ka ndikuar në rënien e dukshme të standardeve ekonomike tek punëmarrësit”. Statistikat zyrtare flasin se Durrësi numëron sot afro 70 ndërmarrje, kompani e filiale fasoni, të shtrira në 12 pika administrative, të cilët kanë të punësuara rreth 6000 gra, vajza të moshave të ndryshme, pasi kjo kategori e ka të vështirë të gjejë tregun e punës për shkak të nivelit të ulët të kualifikimit. Duket se kjo ka bërë që gratë dhe vajzat e punësuara tek këto pika prodhimi tekstilesh private të qëndrojnë inferiore në kërkesat për kushte pune, sigurime shoqërore, rritje page etj. Sindikata e Bashkuar e Durrësit ka dhënë alarmin dhe kërkon nga Ministria e Punës ardhjen e një ekipi kontrolli dhe verifikimi për t’i raportuar në detaje për gjendjen diskriminuese dhe shfrytëzimin e minorenëve në këto linja prodhimi. Ata deklarojnë se “Inspektoratit i Punës Durrës ka pasur reagime apatike, duke mos mundur të vendosë para ligjit pronarët abuzues”. Durrësi, Shijaku, Sukthi, Shkozeti, Spitalla, Xhafzotaj, Maminasi dhe disa zona të tjera ku shtrihet industria e lehtë e konfeksioneve (fasonët) kanë siguruar një numër të madh të krahut të punës, të cilin e shfrytëzojnë jashtë të gjitha kritereve. Sindikata e Bashkuar e Durrësit shprehet: “Janë me numër ato pak ndërmarrje fasoni që kanë nënshkruar kontratë individuale e kolektive mes punëdhënësit e punëmarrësit”. Kreu i sindikatës, Avni Çuni, deklaroi për “standard” se “janë më shumë se 3000 gra e vajza të pasiguruara, shifër kjo e barabartë me 60 për qind të numrit të përgjithshëm të të punësuarve, në ndryshim nga zgjidhja e problemeve të këtyre subjekteve lidhur me furnizimin me ujë e drita apo edhe uljen e taksave dhe detyrimeve të tjera, kompanitë kanë investuar pak për kushtet e punës”. Sipas tij: “Paga më e mirë për një të punësuar në linjat e prodhimit në industrinë e tekstileve arrin deri tek 150 dollarët, ndërsa norma është e lartë dhe vështirë për t’u kapur”. Gratë e vajzat detyrohen të dalin në punë të shtunën e të dielën dhe në ditët e festave zyrtare, kurse kapanonet e punës kanë lagështi, xhama të thyer, pluhur, në disa raste erë të rëndë, për shkak të materialit të punës, si dhe përgjithësisht janë të shtruara në beton. Pronarët e huaj dhe ortakët shqiptarë kanë mundur të shfrytëzojnë kërkesën për punë të grave dhe vajzave, duke mbajtur në nivele shumë të ulëta pagën e shpërblimin. Ndërkohë, ndriçimi, higjiena, ajrimi sipërfaqja për metrat katrorë për punëtor, dhënia e pagës, kontrata individuale e kolektive, pagesa e lindjes, shfrytëzimi i minorenëve dhe etika e komunikimit mes punëdhënësit e punëmarrësit duhet të jenë objekt kontrolli nga Ministria e Punës dhe strukturat e saj. Sindikata vëren se “një pjesë shumë e vogël e ndërmarrjeve janë inspektuar dhe kontrolluar nga inspektorët dhe asnjëherë nuk janë bërë publike kushtet e punës atje, kur dihet se ka pasur edhe raste të abuzimeve me fëmijë apo detyrimet për sigurime shoqërore. Vetë të punësuarit në fason kanë bërë të ditur se u është ndalur shuma për sigurim shoqëror, ndërsa ka rezultuar se ata nuk janë të siguruar. Fare pak ndërmarrje kanë regjistra të rregullt për mallin, pagat, sigurimet, fitimin, pagesat tatimore, kur dihet se qeveria ka ulur taksat e fitimit për fasonin nga 25 për qind në 10 për qind, kurse taksa e kontributit shoqëror nga 32.9 për qind në 28 për qind, me idenë se do të rritej numri i të siguruarve dhe paga e të punësuarve. Këto ndërmarrje punojnë me mall të porositur dhe prodhimi i tyre eksportohet në Itali, Greqi, Gjermani, Rumani, Austri, Zvicër e deri në SHBA.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›