Luzi: Aplikimi i Shërbimit të Provës, kthim dinjiteti për të dënuarin
Një kontakt i paparalajmëruar për të vëzhguar më nga afër aktivitetin ditor të një personi që ka fituar lirinë me kusht. Ky ishte objektivi ynë, i cili na u mundësua nga specialisti Kreshnik Tanku. Personi që menduam të merrnin si personazh është Robert Luzi, 22 vjeç, i dënuar me kusht 18 muaj për veprën penale të “heqjes së paligjshme të lirisë”, për të cilën qysh në momentet e para ka pretenduar pafajësi dhe ka ngritur dyshimin se kolegë të vjetër të tij në polici i kanë ngritur një kurth. Robertin e gjejmë në zyrën e tij, ku ai punon prej disa muajsh. Është një kompani e huaj, e cila i ka mundësuar punësimin pavarësisht se ai është një person i dënuar nga gjykata për një vepër penale. Kompania i ka dhënë atij mundësinë e riintegrimin në shoqëri, stafi me të cilin punon i ka krijuar një ambient të ngrohtë dhe për të mos u ndier aspak i ndryshëm nga të tjerët, fakt të cilin ai e pohon gjatë intervistës, të cilën e mbyll me një apel inkurajues për të gjithë të tjerët, ata që kanë përfituar dhe ata që kanë bërë kërkesë për të përfituar dënim alternativ.
Robert, ju jeni një ndër të dënuarit që keni përfituar nga dënimet alternative. Cili është perceptimi juaj, duke qenë se i keni provuar të dyja, qëndrimin në qeli dhe vuajtjen e dënimit në liri?
Prej disa muajsh kam përfituar programin individual nga zyra e Shërbimit të Provës. Është një ligj shumë i mirë dhe domethënës, pasi ndihmon njerëzit për të marrë veten nga disfata e pësuar. Po të ishim në kushte të tjera, d.m.th në burg, do ishim kthyer në kriminelë, për shkak të kontakteve me persona që kanë kryer vepra penale nga më të ndryshmet. Duke u aplikuar Shërbimi i Provës, ne i kthejmë dinjitetin vetes.
Sa kohë keni që keni filluar punën dhe a patët vështirësi për shkak të faktit se ishit një i dënuar nga gjykata?
Punëdhënësi im e ka ditur qysh në fillim problemin tim. Nuk kam hasur vështirësi në këtë kompani ku jam duke punuar, më kanë dhënë një shans për të rigjetur vetveten. Fillimisht ndenja 1 muaj pa punë, pasi kam qenë efektiv i komisariatit nr. 4, pastaj më përjashtuan nga radhët e policisë. Ka qenë një goditje e madhe për mua, pasi kisha investuar për atë shkollë e punë. Nuk e kam konsideruar si një punë policinë, por si një vend ku doja të bëja karrierë, por obligimit tim disavjeçar i erdhi fundi për një çast… krejt papritur dhe pa kuptuar, për shkak të prerjes në besë të një personi, kolegu…
Ky është i vetmi impenjim juaji gjatë ditës, vetëm puna apo merreni edhe me diçka tjetër?
Jo vetëm puna, jam edhe në shkollë të lartë. Studioj Agro-biznes në Kamëz. E kisha filluar shkollën më parë, por ëndërroja policinë dhe e lashë përgjysmë Ekonomikun dhe fillova Akademinë e Policisë. Pas disfatës që pësova, rifillova sërish Ekonomikun.
Shokët tuaj të shkollës janë në dijeni të situatës në të cilën ndodheni, a ju ngacmojnë apo e evitojnë për këtë shkak?
E dinë disa, por nuk kam pasur asnjë problem, as evitim nga shoqëria ime e shkollës. Kam marrëdhënie shumë të mira, aktualisht jam në vitin e dytë.
Cili është apeli juaj për të tjerët?
Çdo veprim duhet të jetë shumë i matur, duhet të mendojë mirë ku e çon një veprim që do të kryejë. Jeta është e gjatë dhe e bukur.