Durrësi pret dancin modern
çelet sot në qytetin e Durrësit, “Albania Dance Meeting”. Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Bashkëkohor, në edicionin e pestë të tij, do të vijë me shfaqjen e koreografit spanjoll, Jesus Quiroga. E titulluar “The light” (“Drita”), kjo performancë artistike vjen me regji dhe koreografi të Quiroga-s nën interpretimin edhe të balerinëve Eva Faraldo, Ana Belen Ferriero, Sabela Adalid dhe Icia Rey. “The light” është pjesë e një danci bashkëkohor krijuar nga kërcimtari dhe koreografi Jesus Quiroga. Për realizimin e këtij spektakli ai është frymëzuar prej poezisë së poetes Eva Viega, titulluar “Light and its scars”. Koreografi e sjell këtë pjesë si një shpërthim përmes lëvizjeve, muzikës, ngjyrave dhe dritave. Në këtë performancë gjenden të ndërthurura muzika, danci dhe projeksioni vizual. Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Bashkëkohor do të vazhdojë deri më 30 maj, kur publiku do të ketë mundësinë të njihet me interpretime nga kërcimtarë që, ashtu si edhe vitet e shkuara, do të vijnë nga vende të ndryshme të botës. Trupat e ndryshme të baletit, të cilat do të interpretojnë në Shqipëri, vijnë nga Spanja, Zvicra, SHBA-ja, Izraeli, Hungaria, Suedia, Franca etj. Shfaqjet do të organizohen në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit.
#