Ndalen gërmimet në varrezën e Burgut të Ballshit
Gërmimet për gjetjen dhe zhvarrosjen e eshtrave të të burgosurve politikë në fshatin Panahor të Mallakastrës, rrezikojnë “të ngrijnë”. Pas gjetjes dhe zhvarrosjes së trupit të parë, ekspertët e kriminalistikës nuk janë parë më në territorin e gërmimit. Në këtë vend janë lënë vetëm disa efektivë policie, të cilët mbikëqyrin vendin për të mos pasur dëmtime apo ndërhyrje nga persona të paautorizuar. Nga burime zyrtare të policisë mësohet se këto patrulla policore do të vijojnë të jenë aty për të mos lejuar ndërhyrje, me qëllim që mos të ketë dëmtime dhe prishje të territorit deri në rifillimin e gërmimeve, gjë që zyrtarisht nuk dihet se kur mund të ndodhë.
Nga burime konfidenciale mësojmë se cili do të jetë hapi i dytë pas nxjerrjes së eshtrave të 58-vjeçarit Mustafa Korocka nga Kuçi i Vlorës. Grupi i punës që varet nga Task-Forca e qeverisë do të lidhet me të gjithë familjarët e viktimave të Burgut të Ballshit dhe në bazë të të dhënave që ata do të japin, do të nisin kërkimet për personat që mund të jenë groposur pikërisht në parcelën e Panahorit. Por rrezikohet që këto gërmime të nisura në rrugë zyrtare të përfundojnë në gërmime private nga vetë familjarët e ish të burgosurve politikë, të cilët do ta marrin vetë përsipër koston e veprimeve.
Ditën e enjte, rreth orës 11:00, në fshatin Panahor kanë shkuar zëvendësdrejtori i Institutit të Kriminalistikës, Admir Sinamati, deputeti i zonës, Enkelejd Alibeaj, dhe kreu i të përndjekurve politikë, Simon Miraka. Pas afro 2 orësh studimi të hartës që ata dispononin dhe piketimit të territorit, është bërë e mundur gjetja dhe zhvarrosja e trupit të parë që rezultoi të ishte e 58-vjeçarit Mustafa Korocka nga Kuçi i Vlorës. Shkaqet e vdekjes së këtij personi pritet të analizohen nga ekspertiza. Edhe pse operacioni i zhvarrimit të viktimave të komunizmit u trumbetua me të madhe një ditë më parë, një ditë më pas në këtë sipërfaqe varreze dhe në gjithë Panahorin ka pllakosur heshtja. Banorët janë shprehur të pashpresë për një vijimësi të këtyre zhvarrimeve, duke e quajtur edhe këtë një tentativë të dështuar.
#