E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Korrupsioni, të mos kursehen peshqit e mëdhenj

Mitrovicë Eurodeputetja Ulrike Lunacek, raportuesja për Kosovën

Luftimi i korrupsionit nuk duhet t’i kursejë “peshqit e mëdhenj” dhe asnjë nivel të pushtetit, deklaroi raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek. Këto komente ajo i bëri kur po vizitonte shtëpinë e BE-së në veri të Mitrovicës, ku u prit nga ambasadori italian Majkëll Gifoni, përfaqësues i BE-së për veriun. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek, ka përkrahur misionin e BE-së për sundim të ligjit - EULEX, në veprimet e ndërmarra në luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të parasë publike. Në ditën e katërt të vizitës së saj në Kosovë, Lunacek ka vizituar shtëpinë e BE-së në veri të Mitrovicës. Atje ajo është pritur nga përfaqësuesi i Bashkimit Europian për veriun, ambasadori italian Majkëll Gjifoni. Raportuesja Lunacek tha se është shumë me rëndësi që EULEX-i ka filluar luftimin e dukurive negative, duke mos kursyer as nivelin më të lartë të pushtetit. “Kishte premtime se do të kapen edhe të ashtuquajturit ‘peshqit e mëdhenj’ të korrupsionit dhe mendoj se është shumë mirë që procesi ka filluar”, tha ajo. Sipas eurodeputetes Lunacek, procesi ka filluar dhe do të përfundojë me rezultate konkrete, pavarësisht nëse bëhet fjalë për nivele të larta. Luftimi i dukurive negative është pjesë e angazhimeve të Kosovës për t’u bërë pjesë e Europës së bashkuar, tha ajo. “Ju duhet të keni prokurim, sidomos për sektorin publik, rreth asaj se si po shpenzohet paraja publike, duke siguruar transparencë se si po shpenzohen këto para”, tha Lunacek.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›