E Shtunë, 31 Tetor 2026

Federico Fellini në Tiranë

“La dolce vita” e Federico Fellini-t mbush plot 50 vite nga shfaqja e parë në ekranin e madh. Realizimi i njërit prej filmave më të njohur në historinë e kinematografisë botërore festohet nga data 3 deri më 7 maj edhe në Tiranë. Marcello Mastroiani dhe Anita Ekberg, protagonistët e këtij filmi kult, do t’i bëjnë të ëndërrojnë ata që i njohin për herë të parë pas gjysmë shekulli

E ëmbla jetë e Fellini-t mbush plot 50 vjet. Në vendin e origjinës, por edhe kudo ku është ndjekur dhe ka falur emocione e arta kinematografi e Federico Fellinit, e mbi gjitha filmi mit “La dolce vita”, organizohen veprimtari të ndryshme, homazh për regjisorin e madh italian. Edhe në Shqipëri, nga data 3 deri më 7 maj, në sallën “Nënë Tereza” të Pallatit të Kulturës do të projektohen filmat kult të regjisorit. Gjithçka do të nisë me të famshmin dhe të shumëdiskutuarin “La dolce vita”, ku përmes interpretimit të aktorëve Marcello Mastroiani dhe Anita Ekberg do të inaugurohet edhe salla që mban emrin e shqiptares së madhe. Kjo veprimtari do të prezantohet prej Roberto Chiesi-t, kritikut të kinematografisë, njëkohësisht edhe përgjegjës i Qendrës së Studimeve-Arkivi Pasolini i çinetekës së Bolonjës. Me rastin e 50-vjetorit të “La dolce vita”, përgjatë këtyre ditëve do të shfaqen filma të ndryshëm, të tillë si “Ginger e Fred” i vitit 1986, me aktorët Marcello Mastroiani dhe Giullietta Masina. Pas tij do të jetë radha e filmit “8 e gjysmë”, një realizim i vitit 1963, ku edhe një herë shfaqet aktori Mastroiani së bashku me Claudia Cardinale-n. “Fellini Satiricon” dhe “Il Casanova di Federico Fellini”, vijojnë programin me rastin e këtij përvjetori, si filma që i kushtohen figurës së Fellini-t. Plot gjysmë shekulli dhe “La dolce vita” vazhdon të jetë një prej filmave më të famshëm të të gjitha kohërave. 16 marsi i vitit 1959 shënon edhe nisjen e xhirimeve për këtë film; shtatori, fundin e xhirimeve, montazhin, projektimet e para të kopjes provë në Cinecittà; pas këtyre fazave, muaji shkurt i vitit 1960 shënon edhe shfaqjen e parë publike të filmit në kinemanë “Fiamma” të Romës dhe në kinemanë “Capitol” të Milanos. Skandal, polemika të mëdha nëpër gazeta. Maj 1960. Juria, me në krye shkrimtarin Georges Simenon, e vlerëson filmin me “Palmën e Artë” të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Kanë. Atëkohë, Fellini 40-vjeçar ishte në kulmin e krijimtarisë së tij me një fuqi të jashtëzakonshme shprehëse. “La dolce vita” ishte një ngjarje e paharrueshme. Marcello Mastroiani dhe Anita Ekberg xhirojnë së bashku skenën e famshme të banjos në “Fontana di Trevi”. "La dolce vita" cilësohet zakonisht si pika e kalimit nga filmat e parë neorealistë të Fellini-t, në filmat artistikë që e pasuan. Ai tregon historinë e Marcello Rubini-t, një gazetar roman që merret me shërbime skandalistike. Përmes tij do të rrëfehet edhe jeta e asaj periudhe në kryeqytetin e Italisë. Historia copëzohet në episode të ndryshme, ku në Romë do të gjejë vend edhe ardhja e Sylvia-s, yllit të madh të kinemasë... Anita Ekberg dhe Marcello Mastroiani, në këtë interpretim morën vulën si yjet e këtij filmi, por edhe të kinematografisë botërore. “Nëse më pyesni për ‘La dolce vita’, atëherë unë përgjigjem menjëherë: Anita Ekberg! Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga filmi, titulli i tij, imazhi, për mua janë të pandashëm nga Anita. Ajo kishte një bukuri të mbinatyrshme. Herën e parë që e pashë në një fotografi, mendova: ‘Zot i madh, bëj që të mos e takoj kurrë’. Atë ndjesi mrekullie, habie dhe pabesueshmërie prej faktit që gjendesh përballë një krijese të jashtëzakonshme e provova edhe një herë në kopshtin e ‘Hotel de la Ville’, kur po vinte drejt meje, ndërsa pas e ndiqnin të mrekulluar tre burra, i shoqi dhe agjentët që zhdukeshin si hije nga një burim i jashtëzakonshëm drite. Mendoj që Ekberg, mbi të gjitha, është fosforeshente”, ka thënë për të Fellini. Edhe për Marcello Mastroiani-n bashkëpunimi me regjisorin ka qenë po kaq i suksesshëm. “La dolce vita” dhe “8 e gjysmë” i falën atij suksesin ndërkombëtar dhe famën si “latin lover”, prej së cilës në vazhdën e karrierës së tij do të përpiqet më kot të shpëtojë edhe në moshë më të thyer.

Por jo vetëm “Kinemaja e Fellinit” është parashikuar për këtë përvjetor të 50-të të filmit. Në kuadër të stinës së veprimtarive “Italia dhe Shqipëria 2010: dy popuj, një det, një miqësi”, Instituti Italian i Kulturës ka menduar të organizojë edhe dy veprimtari të tjera që do të ngjiten në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Grupi i baletit “Artemis” do të sjellë për publikun shqiptar më 4 maj shfaqjen e titulluar “I Bislacchi, homazh për Fellinin”. Spektakli i cili frymëzohet prej universit të kineastit Federico Fellini, vjen përmes balerinëve, të cilët evokojnë dhe risjellin imazhe, skena e personazhe të disa prej filmave të mjeshtrit të madh, përmes muzikës së kompozuar nga Nino Rota. Ata do të përçojnë një atmosferë të pasur me poezi dhe ndjenjë, por edhe me energji e fuqi, ku vallëzimi gërshetohet me imazhet, muzikën dhe teatrin, për të kujtuar edhe një herë botën e mrekullueshme të Fellini-t. Pas interpretimit në Tiranë, shoqëria e kërcimit do ta çojë të njëjtin spektakël në teatrin “Gioiello” në Torino, në datat 25 dhe 26 maj. Më tej, po në Teatrin e Operës dhe Baletit do të zërë vend interpretimi i grupit muzikor italian, “Ensemble Duomo”, që do të ngjitet në skenë mbrëmjen e 6 majit. Përmes këtyre veprimtarive, Tirana u bashkëngjitet veprimtarive paralele kulturore që po organizohen edhe në vendin fqinj, Itali, me rastin e 50-vjetorit të filmit “La dolce vita” të Federico Fellini-t.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›