Dy Sudanat arrijnë marrëveshje për naftën

Sudani dhe Sudani i Jugut kanë arritur marrëveshje rreth pagesës së naftës – një kontest ky që ka sjellë dy vendet në prag të luftës.
Ndërmjetësi i Bashkimit Afrikan, Thabo Mbeki, tha se palët do të diskutojnë edhe afatin kohor për rinisjen e eksporteve të naftës përmes veriut.
Ai nuk ka dhënë detaje të tjera, ndërkohë që nuk ka pasur komente të menjëhershme as nga Sudani, as nga Sudani i Jugut.
Sudani i Jugut ka mbyllur prodhimin e naftës në muajin janar, pas dështimit për t’u pajtuar rreth tarifave të transitit të naftës me fqinjin e tij verior.
Mosmarrëveshja ka ndikuar rëndë në ekonominë e dy shteteve.
Me pavarësinë e shpallur në vitin 2011, Sudani i Jugut ka marrë me vete dy të tretat e naftës së rajonit, por tubacionet dhe objektet e përpunimit kanë mbetur në Sudan.