E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy çudi në Kosovë

Këto kohët e fundit, opinionin publik të Kosovës e tronditën dy informata, njëra nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për të vendosur ligjin për deputetët që të pensionohen në moshën pesëdhjetëvjeçare dhe tjetra, ajo e botimit komplet të veprave të Rexhep Qoses. Çudia e parë është e Kuvendit të Kosovës, e kokës së popullit tonë të shumëvuajtur, që shekuj me radhë ka ëndërruar pavarësinë për tu qeverisur nga njerëzit e vet. Çohen deputetë dhe kërkojnë të pensionohen në moshën pesëdhjetëvjeçare, si të ishin punëtorë galerish të minierave apo të shkritoreve të metaleve, ku dëmtohet trupi nga puna e rëndë dhe e rrezikshme për shëndetin e njeriut. Kurse, puna e tyre, me përjashtim të një grupi të vogël, është si e ikonave të kishës, vetëm të shikojnë, ta çojnë dorën për të votuar për ndonjë vendim dhe ti mbushin xhepat me para, shpesh edhe duke mos marrë pjesë në seanca të Kuvendit për ta arritur kuorumin për vendime. Po ajo që i bënë plangjinjë dhe kalkulantë të mirë, është të kërkojnë pensionin në moshën pesëdhjetëvjeçare, që, kur të llogaritet përqindja e pensionit sipas të ardhurave të majme si deputet, tu dalë pensioni dyfish më i madh se rroga e Presidentit të Afganistanit, Hamid Karzaj. Kështu, sa janë të rinj e të fortë, të kalojnë jetë pashallarësh. Nga kjo, ajo metoda e tyre për të fituar në fushatën elektorale, të gënjejnë sa më shumë, të premtojnë për ta kthyer vendin në parajsë, që të bëhen deputetë, tu hapet shtegu që ta mjelin për qejfi lopën Kosovë. Mefistofel, bir i çmendur i kaosit! Nga një copë errësire linde për ta urryer dritën. Qeshu, pra, edhe më shumë me fatin tonë e me gaz errëso botën që të mos duket dritë. Gazi është mania jote dhe bukuria e errësirës, Mefistofel i mallkuar i kohës sonë. Je plot gaz kur sheh njerëz të pastrehë, të papunë, fëmijë të zverdhur nga uria, babain e varur se spati me çka ta mbante familjen, njeriu po e han njeriun. Qeshu, Mefistofel, qeshu. Çudirat në jetën tonë fatale janë të panumërta. Ndoshta mund të radhiten edhe në volume librash, por kjo çudi e madhe e këtij shkrimi është botimi komplet, prej 27 volumesh, i veprave të Rexhep Qoses. Para tij, falë pozitës së tij në hierarkinë kosovare, me para të shoqërisë, i qe botuar edhe kompleti i veprave të Sabri Hamitit. Po kur ngjan ky dekor letrar aq i paqëlluar në këtë çast të varfërisë sonë të skajshme? Pikërisht në një kohë kur të gjithë ankohen se njerëzit tanë nuk lexojnë libra. Për veprimtari botuese në Kosovë, qeveria jep 25.000 euro. Kurse për kompletin e Qosjes, jep 200,000 euro. Nga të gjitha këto, 136.000 euro Qoses për të drejtat e autorit. Kjo mrekulli ngjan në një kohë kur bibliotekat e shkollave të Kosovës, fillore dhe të mesme, ku frekuenca e lexuesve është e madhe, se kanë një cent që të marrin ndonjë libër për bibliotekë. Zotërinj, luksi i madh i tokës së varfër është më se tragjik dhe antishpirtëror. A po prekeni pak nga rubrika televizive Edhe unë jam Kosovë, ku fëmijët na dalin si Luli i vocërr i Migjenit, të këputur nga jeta, të përlotur nga gjendja e mjerueshme familjare, pa para ti blejnë tekstet më të nevojshme shkollore? Le të vënë pak gishtin në kokë llakej e Qoses, llakej e të gjithë llakejve. Botimi i kompletit të Qoses është i vonuar. Ky është një veprim shumë i qëlluar i MASH-it, - shkruan një lexues. Jam i bindur se as vetë ky lexues anonim, që duhet të dalë me emër e mbiemër, nuk i ka lexuar veprat e Qoses, as që ka për ti lexuar, mësa ato të Sabri Hamitit.

O vëlla, në kushtet e devalvimit permanent të vlerave morale dhe shpirtërore, kur mbretëron stinë dhelprash dhe hienash, duhet të dalë një Shqiptar i Ri, me shpirt dhe zemër të jashtëzakonshme, një Shqiptar që, me vullnetin e tij të pathyeshëm, pastron çdo të palarë të jetës, për të krijuar diçka të re në gjirin e saj. Shkatërrimi i një morali të tillë të jetë synim sublim i krijimtarisë materiale dhe shpirtërore e Shqiptarit të Ri, kushtrim ti zgjojë nga gjumi shqiptarët e rinj, që të ngrihen për ringjallje morale të kombit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›