Dy fëmijë infektohen me SIDA gjatë operacioneve

Skandal në spitalet e Tiranës. Një fëmijë vetëm 3 vjeç e gjysmë dyshohet se është infektuar me HIV/AIDS gjatë kryerjes së një operacioni në QSUT.
Këtë vit janë regjistruar katër raste të reja të fëmijëve të infektuar me virusin vdekjeprurës.
Në dy prej këtyre rasteve, fëmijët e kanë marrë infeksionin nga prindërit, ndërsa dy të tjerët nëpërmjet infektimit gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale.
Për njërin prej këtyre fëmijëve është vërtetuar tashmë se nuk e ka marrë AIDS-in nga prindërit, të cilët kanë rezultuar negativë pas analizave. Në Komisionin e Shëndetësisë, zyrtarë të Programit HIV/AIDS thanë se hetime po bëhen edhe për rastin tjetër, raporton mediat në Shqipëri.
“Në një prej kartelave thuhet se ka bërë një intervent kirurgjikalë për një hernie urinare. Rasti i parë është në shërbimin pediatrik në QSUT dhe rasti tjetër gjithashtu ka bërë ndërhyrje kirurgjikale në spitalin Ushtarak”, u shpreh Marjeta Dervishi, edpidemiologe, programi HIV-AIDS.
Dy rastet e fëmijëve të infektuar gjatë operacioneve, mund të mos jenë të vetmit. Në repartin e Pediatrisë të Shërbimit Infektiv, që prej një viti mungojnë kitet për kryerjen e analizës së SIDA-s.
“Ne na intereson që një herë e mirë të zgjidhet problemi i bërjes së testimeve të HIV-it. Të bëhet ose në QSUT ose në Institutin e Higjenës. E dyta, të vendoset definitivisht ngarkesa virale se këta fëmijë duhet të ndiqen me protokoll mjekimi dhe nuk mund të ndiqet një protokoll mjekimi nëse nuk ke ngarkesën virale”, u shpreh Eli Foto, shefe e Pediatrisë Infektive.
Drejtuesit e Shoqatës së Personave që jetojnë më HIV/AIDS, thanë se edhe ilaçet për fëmijët e infektuar kanë tre muaj që mungojnë dhe ato po zëvendësohen me medikamentet e të rriturve.
Ata kanë kërkuar edhe një herë mbështetje ekonomike për fëmijët e prekur nga virusi HIV, pasi tre prej tyre kanë humbur jetën, ngaqë nuk kishin para të drejtoheshin në Tiranë për t’u trajtuar./Indeksonline/