Dy fjalë

Botuesi Nazmi Rrahmani e falënderoi poetin që ka zgjedhur shtëpinë botuese “Faik Konica”, duke uruar që ky libër të jetë i rëndësishëm për lexuesit dhe kritikën.
“Uroj që edhe ky libër si edhe shumë të tjerë të shënojë një festë të daljes së një libri të rëndësishëm për lexuesit dhe kritikën”, tha ai.
Ndërsa profesor Ibrahim Berisha tha se libri “I kam edhe dy fjalë”, i ndërtuar në pesë cikle, ka motive dhe shprehje të plota poetike, të cilat flasin për kohët të cilat asnjëherë nuk janë plotësisht të humbura në të kaluarën, por të cilat gjithnjë mund t’i gjejmë nëse i kërkojmë si mesazhe shpërthyese në të tashmen.
“Asketizmi poetik për të pa treguarën si bashkë vuajtje dhe bashkëfajësi dhe parë në kontekst të epikës intime, është një nga vlerat më të theksuara në poezinë e Lulzim Tafës, përkatësisht në librin ‘I kam dhe dy fjalë’. Ironia dhe paradoksi, i ekspozuar përmes një racionalizimi dhe disipline gjuhësore, plotësojnë të përjetuarën kolektive, e cila duket si e vendosur në një pëlhurë harmonie të mistershme estetike”, tha ai.
Edhe Rrahman Paqarizi tha se libri “I kam edhe dy fjalë”, edhe pse me poezi të pabotuara deri më tani, e sheh si një antologji personale, poetike të poetit Lulzim Tafës. Në këtë libër, sipas tij, përmblidhen motivet, figurat dhe gjuha e akumuluar për pothuajse 20 vjet, që kur ai botoi librin e parë me poezi. Paqarizi pohoi se në këtë libër Lulzim Tafa, i ka thënë dy fjalë, në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Fryma rebele, ironia e hollë deri në sarkazëm, shpërthime të natyrshme e jo të stisura që gjejmë rrallë në poezinë shqipe, janë tiparet që përshkojnë poezinë e Lulzim Tafës, i cili arrin të venit kufijtë mes epikës dhe lirikës, që do të thotë se herë-herë shpërfaq një epikë lirike dhe sidomos një lirikë epike, në ato që mund të quhen poezi dashurie. Kështu, kthjelltësia e kapjes së motiveve dhe lidhja përmes simboleve krejt unike, aftësia e vargëzimit të tyre në një gjuhë të saktë i bënë të veçanta poezitë e Lulzim Tafës”, tha ai.
Ndërsa autori i librit, Lulzim Tafa, tha se ndihet i emocionuar dhe falënderoi të gjithë të pranishmit për fjalët e mira që u thanë për të dhe librin e tij me poezi. Ai iu lut Zotit për qëndrueshmëri të këtyre fjalëve dhe rezistencë në kohë.
“Edhe unë jam munduar të them diçka me pak fjalë. T’iu them të drejtën, unë ende nuk e di nëse ato dy fjalë i kam thënë apo kanë ngelur pa u thënë përsëri. Nuk jam i sigurt nëse ato dy fjalë, do të mund të thuhen në të ardhmen, sepse besoj që është më së vështiri të thuhet diçka pikërisht atëherë kur ke më së shumti për të thënë”, pohoi Tafa.
Ndryshe, libri “I kam edhe dy fjalë“ u botua nga shtëpia botuese “Faik Konica në Prishtinë. Autori Lulzim Tafa, deri më tani nga fusha e letërsisë ka botuar librat “Gjaku nuk bëhet ujë“, ”Metaforë e Pikëlluar”, “Vdekja qon fjalë” dhe “Planeti i Babilonit”. Tafaj shkruan edhe dramë dhe publicistikë.