E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy funde, dy fillime

16-09-2012 / Nga Qemal Sakajeva

Popujt me histori të vështirë, e kanë të shenjtë ditën e çlirimit. Kosova, ndoshta, të veten e lexon edhe ndryshe. Nëse, si  ditë  çlirimi, u fiksua një datë, për t’u shënuar ndër libra e për t’u festuar nëpër përvjetore, mbrëmja e 24 marsit 1999, kur NATO sulmoi ushtarakisht, për shqiptarët mbetet kulmi i kulmeve. Çlirimi u arrit pas 78 ditë bombardimesh mbi Jugosllavinë agresore, por derisa mbërriti sekonda e goditjes, e nisjes së asaj lufte, edhe për më fantazistët besohej e pamundur, nga dilema se, “Kosova ka plot gjak viktimash, por s’ka kurrfarë fushash nafte”.
Atë mbrëmje pranvere, Kosova shënjoi  fundin e parë historik të madh: po shporrte pushtuesin e egër shekullor serb. Pas dy muajsh e gjysmë luftë, merrte jetë fillimi i parë po aq i madh: më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë, por disi me një zemërthyrje ndër shumicën shqiptare, nga që asaj iu përngjit, me detyrim, përcaktimi “E Mbikëqyrur”. Edhe më kundërshtarët e mbikëqyrjes, që çlirimin e Kosovës guxuan ta cilësonin, kalim nga pushtimi serb nën okupimin ndërkombëtar, duhet të jenë bindur më pas se, më shumë se nevojë, mbikëqyrja qe domosdoshmëri e dyfishtë: së jashtmi, për  mbrojtjen e territoreve të çliruara nga rreziku serb; së brendshmi, shmangia e përplasjeve ndëretnike dhe qetësimi i marrëdhënieve mes tyre; përballimi i ballafaqimit të ashpër midis forcave politike shqiptare, mes strategjisë së rezistencës paqësore dhe strategjisë së luftës guerile, si dhe pajtimi e afrimi me njëra-tjetrën, në qeverisjen e vendit; ngritjen e institucioneve, maturimin e politikës dhe stërvitjen e administratës, për ndërtimin e demokracisë dhe funksionimin e institucioneve, në shtetin më të ri të botës.
Më 10 shtator 2012, 23 shtete të Bashkimit Europian, SHBA dhe Turqia, dërguan përfaqësuesit e tyre në Prishtinë dhe, pikërisht atë ditë, vendet më demokratike të botës, pranuan heqjen e mbikëqyrjes, sipas vendimit të kuvendit të Kosovës, më 7 shtator. Heqja e mbikëqyrjes ose “okupimit ndërkombëtar”, siç qe cilësuar nga kritikët, shënoi fundin e dytë të madh historik, por njëherësh nisi edhe fillimi i dytë i madh: shteti sovran. Kosova e pavarur  është realitet ballkanik i pranuar botërisht. Me qënien e saj të lirë, sovrane e në paqe, tash e trembëdhjetë vjet, saç duket paradoksale është po aq dhe e njëmendtë, që, Kosova nxit pada, përditë e përvit, çlirimin e Serbisë nga e keqja më dëmtuese e vetvetes. Ata që ende nuk e kuptojnë këtë, janë vetëm serbët radikalë dhe miqtë e tyre. Por koha ka rrjedhur  dhe shteti  i Kosovës pranohet heshturazi edhe nga Beogradi, pohim që hetohet sa më fort zyrtarët e tij të lartë përsëritin që, Serbia kërkon të futet në Bashkimin Europian, por kurrë nuk do të njohë  pavarësinë e Kosovës. Kjo  politikë ngjason me anekdotën angleze, për dikë që fshehu flori nën tokë, dhe mbi tokë nguli tabelën me fjalët “këtu s’ka flori”.
Përmes kryeministrit Ivica Daçiç, Beogradi tha se nuk e njeh Kosovën, as të mbikëqyrur as të pambikqyrur, por  Kosova sovrane frymon në hisen e vet të dheut, të qiellit e të lirisë. Aleatë të Serbisë nuk mund të bëhen ata që heqjen e mbikëqyrjes e quajnë një truk, nga që  aty  ende  mbetet NATO  përmes  KFOR-it, nga që mbikëqyrja do të vijojë në forma të tjera, nga që  Bondstill-i  amerikan është se është (dhe kurrë mos iktë!), nga që Kosova përbën një “fail state” (shtet i dështuar), nga që ka probleme të mëdha të zhvillimit ekonomik dhe plagë sociale që dhembin, siç është papunësia e lartë dhe vjedhja zyrtare, e nga që pakica në veri nuk pranon kurrsesi të qeveriset prej Prishtinës. Të gjitha këto, që kanë të vërteta, nxitin pyetje të vështira, për  t’i  adresuara edhe përtej Kosovës, por jo si ngushëllim. Përshembull, Greqia fqinje, që nuk e njeh Kosovën, po nxjerr territore t’i  japë me qira, për të përmirësuar gjendjen katastrofike, pasojë e politikave të saj të këqia; papunësia i është avitur asaj të Kosovës; problemet sociale trondisin shoqërinë, dhe, ku, se?! Hiç tjetërkund, por m’u në një shtet të 12-shes së BE-së, i favorizuar si vendi i shpikjes së demokracisë. Ndërsa Kosova ka vetëm katër vjet e gjysmë pavarësi. Vritet dikush në Kosovë, i  kombësisë shqiptare apo asaj serbe dhe, shteti i ri vështrohet politikisht zgjyrë, përmes asaj krisme të thatë. Por, në Norvegjinë e pasur, demokratike e paqësore, u vranë 76 vetë, njëherësh  e me gjakftohtësi, siç është përfunduar, vetëm për arsye ideologjike. Mos, o Zot, sikur kjo të ndodhte në Kosovë dhe vrasësi të dënohej me 21 vite burg, çfarë s’do të thuhej. Kosova do të mbikëqyret me forma të tjera. Dhe mirë bëhet që do të mbikëqyret. Por Greqia, le të themi,  a nuk ka rrëshqitur nën mbikqyrjen e rreptë  të Brukselit? Cili vend nuk gjendet nën një lloj mbikëqyrjeje, sidomos  të jetë hallkë e zinxhirit të ndërvartësisë? Siç shtetet e pavaruara bëhen  domosdoshmërisht të ndërvaruara, edhe Kosova  iu largua mbikëqyrjes së pavarësisë për të mbetur në sistemin e ndërvartësisë. Fjalët e ish-presidentit amerian Bill Klinton, dërguar shqiptarëve për heqjen e mbikëqyrjes se, “ditë të ndritshme për Kosovën janë përpara”, është e sigurtë që nuk mbartin asnjë grimë emocioni festiv a ndjesie lidhjesh të veçanta. Ai u kujtoi atyre, t’u rrisë ndjenjën e krenarisë dhe të përgjegjësisë, tek u tha që,  “…shpresoj ta dini se keni shumë miq”. Mbështetësit e Kosovës janë: kori i miqve të luftës - anëtarë të NATO-s; kori i miqve të pavarësisë - në të gjithë kontinentet; kori i miqve të sovranitetit - vendet që ngritën flamujt e tyre në kryeqytetin e Kosovës më 10 shtator dhe dërguan atje përfaqësuesit, për këtë ngjarje historike. Dhe, në krye të tyre gjenden SHBA:  Kosova u çlirua kur Bill Klinton ishte President; Presidenti Xhorxh Bush  e paralajmëroi pavarësinë që nga Tirana; Presidenti Barak Obama e mbështeti  heqjen e mbikëqyrjes duke e cilësuar një “arritje historike”.
Ka dy drejtësi: njëra Hyjnore, tjera Tokësore. Shteti i tashëm i Kosovës, i krijuar me luftë dhe sakrifica të hatashme, nuk është përfundim i drejtësisë hyjnore, por asaj tokësore. Prandaj shqiptarët duhet të përpiqen pandërprerë e të mos pushojnë, për t’u vendosur sa  më pranë të drejtës së merituar. Kjo i bën të natyrshme përpjekjet e tyre, por jo të “jashtëtokësorëve”, që e mendojnë  Kosovën të realizojë sikur ajo të kishte territore të gjera e fuqinë supreme të SHBA-së. Ajo që i duhet Kosovës është të arrijë, dhe të provojë që, mund dhe është një shtet normal brenda kufijve të vet të pacenueshëm, le të themi si shtetet fqinj që atë e rrethojnë: Serbia në veri, Shqipëria në jug, Maqedonia në lindje, Mali i Zi në perëndim. Kush shpërfill  kapacitetet e saj, të ngjashme me ato të shteteve pranë saj e më tej, vihen në anën e mosbesuesve apo dhe  të kundërshtarëve të shtetit të Kosovës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›