Dy fytyrat e nacional-komunizmit, Fidel Kastro dhe Mareshali Tito
“Ju i jeni përgjigjur një lexuesi se Fidel Kastro është më shumë një nacionalist sesa komunist, dhe kjo mua më duket e padiskutueshme. Mendoj se avokati kubanez i ka dedikuar shumicën e jetës vendit të tij sesa doktrinës politike. Por Josip Broz, i njohur më mirë nga nofka e luftës Tito, mund të identifikohet me Fidel Kastron e së kaluarës, të themi europian, pasi ka qenë në gjendje për të përballuar jo vetëm Hitlerin, por dhe për Stalinin. Si mund të identifikojnë këto dy figura, jo vetëm për ndryshimi i gjerësisë, por dhe epokal?”, shkruan Berto Binelli, një lexues, drejtorit të rubrikës “Letra”, Sergio Romano-s, në gazetën prestigjioze italiane: “Corriere della Sera.
Ja dhe përgjigja e historianit dhe editorialistit italian. “I dashur Binelli, krahasimi është interesant, por dallimet janë ndoshta më të rëndësishme se sa ngjashmëritë. Kastro është kryesisht një i ri i edukuar nga jezuitët dhe i rritur në një familje të mirë të borgjezisë rurale kubaneze. Ai vendos të luftojë një regjim policor dhe të korruptuar, një vasal të industrive të mëdha amerikane. Por kjo duket të jetë, të paktën në fillim, një lloj liberali i ri përparimtar dhe romantik, i shqetësuar për ta bërë për Kubën njëlloj siç e kishin bërë “Libertadores” e tjerë të Amerikës latine, vendet e tyre gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë. Marksistë, më duket se, janë vëllai i tij Raul apo Ce Guevara, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tjerë. Nëse kompanitë e mëdha amerikane dhe qeveritë e tyre do të kishin adoptuar një qëndrim të ndryshëm, Fidel, ndoshta, do të kishte krijuar një regjim autoritar të ndryshëm, por jo totalitar, shumë më të ngjashëm me Vargas Getulio të Brazilit dhe Hugo Cavez-in e Venezuelën dhe jo si Rumaninë e Çausheskut.
Por nga momenti që Bashkimi Sovjetik u bë shtyllë e madhe e pavarësisë së Kubës kundër kolosit të Veriut, Kastro u fut me entuziazëm në rolin revolucionar të profetit dhe u bë një kampion kllounesk i komunizmit të Amerikës Latine. Asnjë sistem tjetër nuk do t’i kishte dhënë atij një skenë aq të madhe ku ai mund të fliste pa frikë dhe pa u ndërprerë, në fjalimet e tij të pafundta.
Ndërsa Tito është një personazh shumë më kompleks dhe interesant. Ai ishte një ushtar i Perandorisë Austro-hungareze gjatë Luftës së Madhe dhe luftoi me të kuqtë gjatë Luftës Civile. U pjek politikisht, pas kthimit në atdhe, në një ambient të Europës Qendrore shumë më i arsimuar dhe i informuar sesa ambienti amerikano-latin.
Lufta e tij e çlirimit nuk ishte një seri veprimesh guerile të vogla, të kryera kundër një ushtrie pa ndonjë koherence dhe ideal moral. Ishte një konflikt me përmasa të konsiderueshme, të luftuar kundër dy ushtrive europiane, gjatë së cilës Tito kishte në krah burra të një niveli intelektual dhe me aftësi të konsiderueshme organizative. Edhe Tito, si Kastro, ishte një udhëheqës kombëtar dhe kjo u pa kur u përpoq të shfrytëzojë fitoren e tij në Luftën e Dytë Botërore për të zgjeruar ndikimin e Jugosllavisë në të gjithë gadishullin e Ballkanit.
Edhe Tito, si Kastro, sfidoi zemërimin e një fuqie të madhe, dhe mbrojti pavarësinë e vendit të tij ndaj ndërhyrjes së Bashkimit Sovjetik. Ndryshe nga Kastro, megjithatë, Tito detyroi kundërshtarin e tij të madh, pas vdekjes së Stalinit, të rilidhet me Beogradin. Dhe doli nga përplasja me Bashkimin Sovjetik i fituar dy herë. Ndërsa janë të njohura disa merita dhe cilësi të Titos, historianët konstatojnë se Jugosllavia e tij ishte një krijesë e brishtë dhe u shpërbë në pak vite pas vdekjes së tij. Por krahasimi me Kastron, në këtë rast, është i parakohshëm. Ne mund ta bëjmë këtë vetëm kur të jemi dëshmitarë të fundit të regjimit kastrist në Kubë