E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulltanë-vezirët folklorikë përballë të sotmes

Është e njohur prej të gjithëve ajo ndjenjë krenarie, shpesh herë e shtirur, që ndjejmë kur bëhet fjalë për ndonjë bëmë të të parëve tanë, pa u merakosur fort për largësinë e shekujve apo burimet e sakta të gjenezës së tyre, që shpesh herë është e ngatërruar dhe fshehur mes dyshimesh nëpër arshivat e pluhurosura të botës. Sulltanë e vezirë të Perandorisë turke me origjinë shqiptare, ministra e deputetë të parlamentit të hershëm grek, po ashtu të gjakut tonë, apo mbretër të tokës së faraonëve e deri tek ndonjë Papë i stërlashtë me rrënjë nga tokë e Arbërit, të gjitha këta personazhe rrotullohen pandalshëm memories së këtij kombi prej motesh të pafund, më shumë se sa një mburrje e rastit, por si një mjegullnajë folklorike a medaljon pa ndonjë vlerë të veçantë, të mëshiruara vetëm me fjalë dhe ligjërime të stërzgjatura mërzitshëm nëpër seminare e simpoziume të ndryshme. Është një ritual që s’ka të sosur dhe ne shqiptarët e vërtetë të këtij trualli që gdhihemi e ngrysemi përjetësisht në këtë vend nuk duam t’ia dimë për të gjallët, për ata njerëzit tanë që na rrethojnë dhe na bëjnë t’ua ndjejmë frymën dhe hapin në rrugën e tyre të përparimit, por vazhdojmë të mbetemi ende robër fanatikë të legjendave mbi të shkuarën e largët të atyre që me pak gjasa mund të kenë qenë me të vërtetë të këtij gjaku dhe që dikur, ndër shekuj të hershëm, na paskan udhëhequr shtete e perandori!? Tek shihja këto ditë, përmes një kanali italian televiziv, një ndeshje ndërkombëtare volejbolli për meshkuj, mes përfaqësueses së Italisë dhe asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk kishte se si të mos më bënte përshtypje e të më mbushte me emocione të shumta prania, ende në formacionin e skuadrës përfaqësuese amerikane, e volejbollistit shqiptar Donald Suxho, tashmë rreth 35 vjeç! E dija prej kohësh që ai është bërë një yll i njohur i sportit në Amerikë, aq sa dhe ishte shpallur atje edhe më i miri i vitit më 2005-ën, krahas të famshmëve të tjerë të njohur në të gjithë botën, si çiklisti legjendar Lance Armstrong, ndërkohë që e kisha parë atë që ta përfaqësonte Amerikën edhe në Lojëra Olimpike, si një prej titullarëve kryesorë të ekipit të volejbollit, por që ta shihja ende pas kaq vitesh si protagonist dhe përcaktues me lojën e tij për skuadrën kombëtare amerikane, kjo ishte një tjetër befasi prej këtij shqiptari, për të cilin ne njerëzit e një gjaku me të, dimë fare pak ose asgjë! Dhe, ndodh kjo për një sportist të lindur në këtë tokë me prindër të njohur për volejbollin tonë; me një djalë që arriti të shkëlqejë me Skënderbeun e Korçës së tij derisa u shpall edhe kampion i Ballkanit për këtë vend, që çuditërisht nuk di t’i vlerësojë siç duhet njerëzit e tij të gjallë, por e gjen kënaqësinë tek e kaluara tepër e largët e personave të fshehur arkivave të pluhurosura dhe të mbështjella dyshimshëm ndër mjegullnaja të shumta folklorike. Duke qenë një fenomen, që arrin të jetë protagonist i një superfuqie siç është Amerika edhe në sportin e volejbollit, Donald Suxho është bërë i lakmuar nga shumë klube profesioniste të Europës, duke luajtur me sukses në disa vende, nga Rusia në Poloni, Greqi e Turqi, për të mbërritur së fundi në kampionatin italian, vendi që aktualisht mban kurorën e botës së këtij sporti, e megjithatë, ne shqiptarët e tij, pak duam t’ia dimë për te! Ashtu si nuk duam t’ia dimë për Igli Taren, p.sh, një tjetër shqiptar i vërtetë midis ne të gjallëve, i cili edhe pse është aktualisht i vetmi deri tani si drejtuesi më i lartë i një klubi sportiv në një shtet të huaj (Lacio-Itali), gjë që duhet të na bëjë të ndjehemi krenarë për të dhe identitetin tonë, kur mendojmë se ai ka mbrojtur me nder ngjyrat e flamurit kuqezi kur luante në kombëtaren shqiptare të futbollit, megjithatë, edhe ai mbetet përsëri si një “i huaj” për ne! Nuk po them t’u japim parà për gjithshka që ata kanë bërë për këtë vend, apo për atë që reklamojnë nëpër botë me identitetin e tyre si shqiptarë të nderuar, por nga gjithë ato dekorata të panumërta që jepen për ata “sulltanë-vezirë” të së kaluarës së largët, zhytur arshivash të pluhurosura dhe të dyshimta të mjegullnajave folklorike, mund të gjendeshin disa edhe për këta të gjallët, shqiptarët e vërtetë të së sotmes, të cilët i kemi pranë dhe i prekim e i shohim realisht për çdo ditë. Dhe, nëse nuk mund t’ua bëjmë as këtë nder, në se mund të quhet i tillë, të paktën, kësaj harrese për së gjalli, të mos i shtojmë atë më të keqen që ne nuk përtojmë t’ia ngjeshim njëri-tjetrit, mosmirënjohjen deri në urrejtje, siç ka ndodhur me ndonjë kampion apo rekordmen tjetër shqiptar, që për rrethana të ndryshme dhe të arsyeshme, është detyruar që të përfaqësojë një vend tjetër...

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›