Me gjuhën e presionit
Nga Altin Ketro
Si një rrufe në qiell të pastër, ish kryeministri socialist Fatos Nano, ndërmori nja hap të befasishëm presioni mbi opozitën. Askush se priste që ai, pasi konsumoi të gjithë zinxhirin e takimeve me krerët politikë parlamentarë, dhe ku mori prej tyre një refuzim të heshtur, të shpërthente kaq hapur.
Ai është vetëofruar si kandidat mbi palët, por mënyra e zgjedhur e tipit shantazh e vë në pikëpyetje këtë angazhim të tij. Që Nano është shumë herë më i përgatitur politikisht se kandidatura e zotit Zaganjori, kjo smund të vihet në diskutim. Por po aq e vërtetë është fakti se figura e tij është një figurë e djegur në sytë e opinionit publik dhe çdo riciklim i tij përbën kthim prapa.
Hapi i ndërmarrë prej Nanos më së shumti duket një hap i nxitur më tepër nga fakti se këtë të diel është parashikuar një takim midis Berishës dhe Ramës. Ky takim mund të jetë vendimtar për ecurinë e mëtejshme të procesit përzgjedhës së kandidaturës presidenciale dhe Nano gjeti pikërisht këtë moment për të treguar muskujt.
Duke besuar se Rama mund të paraqiteshe me një ose disa kandidatura ku nuk do figuronte emri i tij, ai i parapriu kësaj situate për tu faktorizuar pas një heshtjeje që shoqëroi post fushatën e tij.
Nano ndjen se nuk ka çfarë humb më dhe ky mund të jetë shansi i fundit i tij për të garuar e fituar postin që e synon për 10 vjet me radhë. Por kjo mënyrë që ai zgjodhi mund ti kthehet në të kundërtën e saj. Vënia nën presion e opozitës në mënyrë kaq publike, e ka kthyer situatën në një sfidë midis tij dhe pjesës drejtuese të PS-së, veçanërisht me Edi Ramën.
Është e vështirë të besohet që Rama të pranojë që ta kandidojë në këto kushte Nanon, pasi do paraqiteshe në sytë e publikut i dobët përballë presioneve të tipit: po smë kandidove, unë të rrëzoj. Dhe kjo përbën kosto politike.
Në deklaratën e stafit të Nanos thuhet se: Në një rast të tillë, nëse Edi Rama nuk e mbështet Fatos Nanon në kandidimin për President, atëherë në këto takime u përcaktua gatishmëria për fillimin e përgatitjeve për një lëvizje të re politike përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që duan ti dalin për zot fateve të Shqipërisë dhe që e duan Shqipërinë Europiane. Pra, një lëvizje e re politike për ti dalë zot fateve të vendit. Çdo të thotë kjo, që Nano po përpiqet të rrëzojë Berishën? Duhet të jesh naiv të arrish ta besosh këtë gjë. Nuk e bëri as në 2007-ën, as në 2009-ën dhe as në 2011-ën, kur herë në mënyrë të hapur e herë në mënyrë të kamufluar u doli krah si Berishës ashtu edhe kandidatëve të tij, veçanërisht në bashkinë e Tiranës.
Synimi i Nanos është pra të trysnojë Ramën dhe gjithë ekipin drejtues në PS që ta propozojnë përndryshe ai u rrezikon marrjen e pushtetit pas një viti. Kjo lëvizje që Nano na e bëri të ditur, ngjan pak a shumë me atë lëvizje që bëri Ilir Meta në 2004-ën e cila çoi në krijimin e LSI-së dhe rrëzimin e qeverisë socialiste nga pushteti. Por këto lëvizje individuale të Nanos vërtet kanë prishur punë në të kaluarën me çorientimin e elektoratit të majtë, por asnjëherë nuk janë materializuar me lëvizje të mirëfillta, ashtu siç veproi Meta. Kjo vjen për shkakun se Nanos i mungon vullneti për të punuar e për ti shkuar gjërave deri në fund. Njihet dembelizmi i tij gjatë gjithë kohës së qeverisjes kryeministrore, ku i dhënë pas qejfeve turistike, pati mungesë kontrolli mbi aktivitetin qeveritar dhe kërkesës së llogaridhënies. Shumë këtë e kanë quajtur si frymë besimi që Nano kishte ndaj ministrave, por që në fakt rezultoi e dëmshme. Është njësoj sikurse një bari që lejon që delet e tij të shpërndahen kuturu dhe dihet pastaj çndodh: delet i kap ujku, ndërkohë që ministrat dhe administratën e tij e kapi dhe e mbërtheu korrupsioni.
Dëshira e madhe presidenciale e Nanos edhe kësaj here do i shkojë dëm. Ai që realisht i ka votat për ta bërë President, më së shumi i duhet Nano jashtë çdo lloj posti shtetëror. Vetëm në këtë mënyrë do ta ketë gjithmonë të gatshëm për ta përdorur si gogol për opozitën dhe si një kundrapeshë ndaj partisë së Presidentit Topi. Nano po pretendon të jetë përbashkuesi i të majtës, i një të majte e cila se ka të nevojshme që këtë shërbim tia ofrojë një pehlivan politik. Bëre mirë zoti Nano që veprove kështu, sepse të paktën nuk na zhgënjeve në besimin tonë se skishe për të dalë kurrë mbi palët. Ti i përket vetëm një pale, asaj që njeh vetëm gjuhën e presionit e të shantazhit.
