E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri në lokalin e fshatit, merr peng të riun me pistoletë të rreme

SHKRUAN: Irena Vreto 21-06-2011 11:02

Pogradec- Merr peng me pistoletë të rreme të riun, përfundon në pranga 26-vjeçari. Një grindje për motive banale, në një lokal fshati, ka marrë trajtën e një telenovele, ndonëse me nota komike. Pavarësisht dramacitetit që kishte ngjarja, për fat të mirë ka mbaruar shpejt, ndërsa autori i saj ka përfunduar në pranga për më pak se 30 minuta.

Zënka

Duke iu referuar burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë, në Korçë, mësohet se një 26-vjeçar i cili akuzohet se me një pistoletë lodër ka kërcënuar dhe mbajtur peng një shtetas një ditë më parë, ka përfunduar në burg. Lajmi u bë i ditur nga burime të policisë lokale, të cilat thanë se mbrëmjen e kaluar u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Albert Shkullaku, 26 vjeç, banues në fshatin Stropckë të rrethit të Pogradecit. Ky shtetas akuzohet se në një lokal në fshatin Çërravë, po në rrethin e Pogradecit, për motive të dobëta, me anë të një pistolete ngjyre të zezë me material plastik, ka kanosur shtetasin me iniciale E.I, 29 vjeç, banues në fshatin Cërrave, si dhe ka marrë peng për afro 50 metra, duke e tërhequr zvarrë me forcë shtetasin M.D 25 vjeç, duke konsumuar kështu veprat penale të “Kanosjes” dhe “Heqjes së paligjshme të lirisë”. Duke iu referuar të dhënave të para nga vendi i ngjarjes, mësohet se Albert Shkullaku ka shkuar në fshatin Çërravë, i thirrur nga disa miq të tij. Ai është ulur në një lokal të fshatit në tavolinë, ku mes grupit të shokëve ndodhej dhe 29-vjeçari E.I. ndërkaq në tavolinën ngjitur ndodhej 25-vjeçari që është marrë peng, i cili ishte njëherësh shok me E.I., i përfshirë rastësisht në konflikt. Një batutë në bisedë e sipër ka nxehur gjakrat, ndërsa Shkullaku që ka dashur të tregojë se është shumë i fortë, madje edhe me armë me vete, i ka tmerruar të gjithë.

Arrestimi

Ai ka tentuar t’i “bindë” shokët e tavolinës, se ai mund të vriste gjithkënd që i dilte përpara. Madje për të përforcuar mendimin e tij, ai ka nxjerrë pistoletën lodër, ndërsa ka rrëmbyer duke i vënë armën e rreme në kokë shënjestrës së tij. I tmerruar, i riu ka kërkuar ndihmë duke iu përgjëruar pengmarrësit se ka reaguar pa pasur dijeni se kush ishte ai. Ndërsa është përpjekur t’i kërkojë ndjesë, tmerri për të riun e marrë peng ka qenë i pazakontë. Shokët e tij kanë njoftuar menjëherë policinë liqenore për pengmarrjen, e cila ka shkruar në fshatin Çërravë në kohë. Askush nuk do ta kishte menduar se gjithçka ishte si në një film hollivudian, teksa arma nuk ka qenë e vërtetë, por një lodër për fëmijë. Pengmarrja nuk ka zgjatur përveçse 15 minuta, ndërsa 25-vjeçari është tërhequr zvarrë me pistoletë në kokë për afro 50 metra. Pas ndërhyrjes në kohë të policisë, është bërë i mundur arrestimi i pengmarrësit dhe i është sekuestruar arma. Por në këto momente, autori i kësaj ngjarje që ka tronditur fshatin Çërravë, vetëm 10 kilometra larg Pogradecit, ka treguar të vërtetën. Ai i ka pohuar bluve se pistoleta e tij ishte thjesht një lodër e të nipit që e mbante për shaka. Në fakt nuk e ka konsideruar të tillë i riu që u mor peng, por dhe shumë bashkëfshatarë të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›