E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy incidente të rënda mes PS-së dhe LSI-së për listat zgjedhore. Arrestohet kandidati i PS. Lirohet në mbrëmje

UPDATE- Listat zgjedhore kanë shkaktuar përplasje mes deputetëve të PS-së, Erion Braçe dhe Ilir Gjoni dhe kreut të njësisë bashkiake nr.3 në Tiranë, Ilir Kokona, i cili është anëtar i LSI-së.

Dy deputetët e opozitës kishin shkuar në këtë njësi për të parë listat zgjedhore, pasi dyshojnë se në listë janë futur edhe emra që nuk i përkasin kësaj zone. Për më tepër, ndryshimet në lista janë bërë pas afatit ligjor. Por, atyre nuk u janë vënë të dhëna në dispozicion nga ana kreut të kësaj njësie, çka ka sjellë edhe fjalë të rëndë dhe për pak ka pasur edhe përplasje fizike mes tyre.

Ilir Kokona deri pak ditë më parë ka qenë me PS-në, pasi është zgjedhur në krye të kësaj njësie bashkiake pikërisht si anëtar i PS-së. Por, ai vendosi që të kalonte me LSI-në pak ditë më parë.

Po ashtu incident ka pasur edhe në njësinë bashkiake numër 6, e cila drejtohet nga Luzhiana Abazi e LSI. Kjo e fundit u ka kërkuar një dokument me shkrim përfaqësuesve të PS. Deputeti Sajmir Tahiri ka debatuar me të. Më pas policia ka arrestuar dy persona që ishin me Tahirin, me pretendimin se i kanë vënë kyçin njësisë bashkiake 6 në shenjë proteste. Tahiri thotë se janë arrestuar Krenar Cenollari dhe Besim Kocaqi. I pari është kandidat i PS për minibashkinë 6. Pas arrestimit të kandidatit për kryetar të minibashkisë nr. 6, Krenar Canollari, mbi 200 simpatizantë socialistë janë mbledhur përpara komisiaritatit nr.6 duke kërkuar lirimin e tij. Në orët e pasdites Cenollari është liruar nga qelia.

Opozita prej ditësh është duke denoncuar shkeljet që janë duke u bërë me listat zgjedhore, sidomos në kryeqytet. Sipas opozitës, në lista po futen persona të shumtë nga periferi të Tiranës, të cilëve nuk u takon që të votojnë për bashkinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›