Qytetari përballë Lulit
Ky shkrim është tepër personal, prandaj marr përsipër të gjitha përgjegjësitë për çfarë do të shkruaj më poshtë. Ky është vetëm zëri im, pra i vetëm njërit prej banorëve të Tiranës që do të votojnë më 8 maj për kryetarin e bashkisë së kryeqytetit të tyre
Për Lulin kisha dëgjuar pasi e kisha takuar atë vetë. Nuk më pati shfaqur as ngjyrë as shije, më ngjau me një lloj butaku buzëqeshës, paksa i trembur, vetëm kaq. Por në kujtesë e kam regjistruar kur një ish-kolegia e tij në punët që bënte në Kosovë, më tregoi një histori shumë domethënëse: Një ditë, kur prokurori i huaj i UNMIK-ut ish kthyer nga një katund i Kosovës, në kohën kur kjo po ndiqte lëvizjen e shefit nëpër zyrë, me tu kthyer nga Luli e gjen pa një pa dy, pa kollare në qafë. I thotë, ku e çove? Ai, duke rregulluar jakën e këmishës i përgjigjet, ua, nuk ka kuptim, shefi pa kollare e unë me, nuk shkon. Kolegia kosovare ia pati kthyer atëherë me të qeshur, po mirë, pse nuk del jashtë ti bësh këpucët me lloç (baltë) meqë dhe prokurori ashtu i kishte.
Për Lulin në Kosovë ka batuta shumë, pafund. Një tjetër po aq domethënëse është ajo që rrëfejnë për takimin e tij me një shqiptar nga Shqipëria, të cilit i kish shtrënguar dorën para se të merrte vesh që ai ish me bindje socialiste, të majta apo komuniste sipas Lulit, i cili menjëherë kish vrapuar në banjo të lajë dorën se i paskësh ardhur ndot. Që të mos shtojmë gjë mbi propagandën e Lulit për turizmin shqiptar kur këshillonte kosovarët që të mos shkojnë në jug e në Sarandë se andej na qenkëshin të gjithë grekë dhe ka rreziqe.
Kosova dhe kosovarët i kanë gojët plot me batuta të këtij lloji për Lulin. Atje, Lulin nuk e mbajnë mend për mirë, e meqenëse nuk e shajnë rëndë, ndoshta për mirësjellje ndaj këtij djali me nure femërore, të paktën e rrëfejnë ashtu butak, siç e kisha nuhatur që në takimin e parë, menjëherë pas të cilit më ishte fshirë nga kujtesa.
Por Luli erdhi shpejt në Bruksel. Pas disa dallavereve ordinere në Ministrinë e Transportit, si për ta larguar nga era që qelbej, e bënë Ministër të Jashtëm. Me buzëqeshjen e ngrirë e me një anglishte mjaft të mirë, Luli na u sorollat nëpër Evropë, e në fillim pati impresionuar edhe dhelprën Solanë. Pas takimit të parë me Lulin, për herë të parë e të fundit në karrierën e tij si Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian, Havieri pati përsëritur tog-fjalëshin pavarësia e Kosovës tre herë në një konferencë për shtyp, aq sa kolegëve shqiptarë nga Kosova dhe atyre serbë që nuk ishin në Luksemburg nuk iu besonin as veshët e as sytë kur ua tregonim në video. Me Lulin krenoheshim në fillim (duke harruar si pa dashje dallaveret e transportit) sepse në tryeza me kolegët tanë të gjithë qaheshin njëri për Skënder Hysenin, tjetri për Vuk Jeremiçin, një tjetër për Antonio Milloshoskin, e të mos i marrim me radhë se vetëm kur vinte radha tek ne, shfrynim të lehtësuar e thoshnim, jo, ky i yni deri më sot nuk ka shkarë ende.
Por isha nxituar në këtë gjykim. Për ti rënë shkurt, për vizat (çështje të cilën të gjithë e njohin përmendësh se ne gazetarët jua kemi futur për hundësh për më shumë se tre vjet), i patëm treguar se sllovenët ishin të shqetësuar në nisje të mandatit në vitin 2008, dhe se një nga dyshimet që kishin me Shqipërinë ishte mos-prodhimi në kohë i pasaportave biometrike. Luli sçau kokë!
Një vit më vonë, kur serbët, qytetarët e Maqedonisë dhe malazezët ja mbathën pa viza, pas zgjedhjeve të vitit 2009, ky Luli ynë bërtiste se i vetmi problem teknik ishte vetëm vonesa me pasaportat biometrike, e se të tjerat janë përmbushur të gjitha. Por kjo ishte më pak e dhimbshme sesa thirrjet e padëgjuara nga Brukseli që shqiptarët nuk do të përfitojnë vizat, sepse nuk janë përmbushur kushtet, lajme të cilat Luli me kontrollin e tij mediatik me punësime në ministri, i mbyste me premtimin e pambajtur para-zgjedhor se shqiptarët do të udhëtonin të parët pa viza, e pas tyre serbët, malazezët etj Atëkohë pata shkruar tek gazeta Shqip opinionin me titull Vizat e 1 Prillit, se pikërisht më 1 prill 2009 e kish deklaruar Luli një gënjeshtër të tillë, pa pikë turpi.
Më vonë e dini si rrodhën ngjarjet, u desh të kalonte edhe një vit e ca më shumë, derisa më 15 dhjetor të vitit të kaluar shqiptarët të gëzonin vizat, të fundit, me boshnjakët, dhe me tyta ekranesh mbi kokë që i shpartallonin ç’do orë me: mos dilni, mos ikni, mos rrini andej, mos kërkoni azil, gjeni para, garanci, ftesa, vërtetime gjyqi e analiza mjekësore, a thua se kish ndryshuar ndonjë gjë nga çfarë kërkonin ambasadat më parë, përveç peshës së valixheve të varura në dorë e shpenzimeve të udhëtimit.
Për ata që nuk e dinë, në Belgjikë, ditën e parë të liberalizimit të vizave patën ndaluar dhjetëra pleq në kufi, në aeroportin e Liezhës. Njërit prej tyre i pati rënë atak në zemër nga tmerri që i kishin shkaktuar forcat speciale belge të armatosura e të veshura me maska e skafandra. Këta kishin dalë në pritje të shqiptarëve të tmerrshëm, përshtypje kjo që autoritetet belge nuk e ndryshuan edhe pasi takuan shpesh herë Lulin gazmor. Pata shfletuar atë ditë gazetat belge, në faqet e të cilave autoritetet zyrtare deklaronin pa pikë frike: e kemi bërë vetë, që tju mësojmë shqiptarëve çfarë i pret nëse abuzojnë. Pikërisht për këtë arsye me disa kolegë vendosëm të mos bëjmë asnjë lajm për të mos i bërë jehonë mesazhit racisto-publicistik të belgëve të pataksur nga lumi i azilkërkuesve (kryesisht shqiptarë) nga Serbia, Maqedonia dhe Kosova. Lajmi ishte i vulosur pasi as mediat pranë qeverisë nuk e bënin se nuk shfaq interes tek publiku trushpëlarë që kultivojnë. Shtoji kësaj çfarë ndodhi me shqiptarët në kufirin grek, italian e më gjerë, vizat nga Luli i Salës, i gëzofshi.
Por përveç vizave Luli më kujtoi dhe NATO-n, në daljen pompoze pas prezantimit që i bëri Qiljeta. Në selinë e Aleancës, disa javë para dorëzimit të protokolleve të anëtarësimit, mua më tha në sy: sepse nuk është në interesin tim, pasi unë e kisha pyetur pse kish ndërhyrë për të çensuruar lajmin për qëndrimin e Komisionit Evropian për projekt-ligjin e lustrimit, në televizionin ku punoja.
Aty për aty mu kthye si rrufe në kujtesë një tjetër takim prej të cilit nga gazetarë miq u bëmë gazetarë armiq sipas filozofisë ndarëse dhe koncepteve të vetë Lulit për gazetarinë. Larg situatës ndezëse të Tiranës nga akuzat për korrupsion qindra milionësh euro, në një hotel të bukur të Brukselit, po pinim e po llafoseshim me Lulin e butë, atë butakun që ju shpjegova në fillim, por në dukje djalë i mirë e pa sherr. Atë ditë ai dridhej e përdridhej, nuk ndihej mirë se çkish. Por ne i bënim biseda të tjera nga ato që e shqetësonin në Tiranë, andaj po i pëlqente, aq sa në një moment shpërtheu në një rrëfyes të pafre sekretesh duke na treguar se dhe ai e sheh vendin tonë me sytë e atyre që e njohin dhe jetojnë realitetin, se para çdo takimi ku duhej të deklaronte kapërcime ylberësh duhej ti bënte vetes lavazh për të mbrojtur atë farë vendi, se jemi shumë larg, se duhet më shumë punë e më pak hajdutëri, më pak politikanë të vjetër e më shumë të rinj e gjëra të tilla banale e fjalë në erë për të gjithë. Biseda u pre nga një zile SMS-je që Lulit i tërhoqi të gjithë vëmendjen. Ishte ai mesazh që priste ndërmjet përdredhjeve të panumërta. Lulit i qeshi buza sërish, sytë iu veshën dhe iu përhumbën. Që atë ditë, ai u kthye kështu në personazhin që shpjegon shumë mirë Enver Robelli në shkrimin e fundit, të atij djaloshit që kur zhyt duart në gropën thithëse të politikës shqiptare (ballkanase) shndërrohet në monstër, në një të panjerëzishëm me shikim të përhumbur e fjalë pa peshë e plot rrena.
I paditur në atë çast, vetëm të nesërmen
