Dy ish-zyrtarët e Transporteve, kundërshtojnë shtyrjen pa shkak të afateve të hetimit për çështjen e rrugës Durrës-Kukës

Mungon prokurori, shtyhet shqyrtimi i ankimit të Armand Telitit dhe Andi Tomës
Mungesa e përfaqësuesit të Prokurorisë së Përgjithshme në sallën e Gjykatës së Tiranës ka bërë që të dështojë dje seanca për shqyrtimin e ankimit të bërë nga të akuzuarit e çështjes së rrugës "Durrës-Kukës", për zgjatjen e afateve hetimore nga organi i akuzës. Seanca e djeshme ishte planifikuar të shqyrtonte kërkesën penale të bërë nga ish-zyrtarët e Ministrisë së Punëve Publike, Transporti dhe Telekomunikacionit, Armand Teliti dhe ish-drejtorit Juridik të kësaj ministrie dhe Andi Toma të cilët kundërshtojnë zgjatjet e afateve të hetimit për rrugën Durrës-Kukës nga ana e prokurorisë dhe për një muaj.
Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme bënë ët ditur dje se, përfaqësuesi i kësaj prokurorie në këtë çështje, Arben Kraja ka munguar në Gjykatë për shkak se ndodhet me shërbim pune jashtë Shqipërisë.
Lidhur me hetimet që po realizohen nga Prokuroria për çështjen e rrugës "Durrës- Kukës", janë nën hetim për shpërdorim detyre disa ish-drejtues të Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
Në një prononcim për mediat, ish- zëvendësministri i Transporteve, aktualisht Drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme, Armand Teliti deklaroi se, zgjatja e afateve hetimore për këtë çështje nga prokuroria e Përgjithshme është e pajustifikuar dhe e qëllimshme.
Disa ditë më parë, dy nga të pandehurit e dosjes Durrës - Kukës - Morinë, Armand Teliti dhe Andi Toma kanë paditur dje në gjykatën e Tiranës, prokurorin e çështjes, për shtyrjen e afateve hetimore edhe për një muaj tjetër pa shkak e pa ndonjë arsye.
Në kërkesën e tyre drejtuar gjykatës, dy zyrtarët, bazuar ën nenin 325 të Kodit të procedurës penale, kërkojnë që brenda 10 ditëve të refuzojnë vendimin e prokurorit të çështjes, Arben Kraja, me pretendimin se prokuroria po i zvarrit hetimet për motive politike.
Para shtyrjes së fundit, Prokuroria e Përgjithshme pohoi se hetimet janë në prag të përfundimit dhe se shpejti do të ketë edhe konkluzionet për secilin nga të akuzuarit.
Raporti i dy ekspertëve kontabël që do të përcaktonin vlerën reale të aksit Rrëshen-Kalimash dhe dëmin e shkaktuar shtetit nga keqmenaxhimi i mundshëm i fondeve, ishte dokumenti i fundit që sipas prokurorisë, do të shërbente për t'i dhënë fund hetimeve të dosjes. Por kur ky dokument, tashmë është në duart e prokurorisë, ajo ende merr vendime për shtyrje hetimesh, këtë herë pa pasur ndonjë shkak real.
...