Prokuroria e përgjithshme kërkon imunitetin e deputetit Andis Harasanit

Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit autorizimin për ndjekje penale të deputetit të Partisë Socialiste, Andis Harasani.
Këtë kërkesë e ka bërë publike Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në mbyllje të seancës së djeshme plenare, ku informoi deputetët mbi këtë kërkesë të organit të akuzës, të paraqitur së fundi në Kuvend. Sipas kryeparlamentares heqja e imunitetit të deputetit do të nisë sipas të gjitha procedurave të përcaktuara.
Kërkesa vjen pas incidentit të ndodhur rreth dy muaj më parë (11 shtator) nga deputetët socialistë, Andis Harasani e Ndriçim Hysa, të cilët tentuan të fusin në ambientet e parlamentit, sende të ndaluara me rregullore. Veprimi i tyre u parandalua nga punonjësit e Gardës së Republikës, ndaj të cilëve deputeti Harasani përdori tone ofendues dhe gjeste të dhunshme.
Për këtë incident punonjësit e Gardës në Kuvend bënë kallëzim penal ndaj deputetit socialist.
...