“Korridori VIII dhe hekurudha, projekte të rëndësishme për të dy vendet”

Kreu i qeverisë Berisha, pret në një takim kryetarin e Parlamentit maqedonas, Trajko Veljanovski”
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim kryetarin e Parlamentit maqedonas, Trajko Veljanovski, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri. Kryetari i Parlamentit maqedonas, Veljanovski, falënderoi kryeministrin Berisha për mikpritjen si dhe shprehu vlerësime mjaft pozitive mbi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike mes dy vendeve, duke theksuar domosdoshmërinë e intensifikimit dhe ngritjes cilësore të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare, Berisha, vlerësoi përparimin e ndjeshëm të bërë nga Maqedonia si dhe ecurinë e reformave në vend, duke vlerësuar gjithashtu edhe progresin e ndjeshëm në zbatim të marrëveshjes së Ohrit. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për aktin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia, kontribut ky shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. Kryeministri Berisha dhe kryeparlamentari maqedonas u shprehën për një nivel të shkëlqyer të bashkëpunimit politik, si dhe për domosdoshmërinë e ngritjes së bashkëpunimit ekonomik në këtë stad. Berisha dhe Veljanovski theksuan rëndësinë e projekteve të përbashkëta rajonale, duke u ndalur në projektin e Korridorit 8, në kompletimin e linjës hekurudhore me Maqedoninë, në lehtësimin e shkëmbimit të njerëzve dhe mallrave në pikat doganore etj. Veljanovski dhe kryeministri Berisha theksuan rëndësinë e iniciativave rajonale për të nxitur një vëmendje më të madhe të BE-së për projektet e mëdha në Ballkan. Berisha theksoi se vendet e Ballkanit, me progresin e tyre, kanë mundësinë të dëshmojnë për një Ballkan krejt ndryshe dhe se e ardhmja e Ballkanit është optimiste sepse vendet e tij kanë vullnet të hekurt në rrugën e zhvillimit, bazuar mbi iniciativën e lirë të njerëzve.
Topi: Bashkëpunimi me Maqedoninë do të intensifikohet edhe më tej/Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti dje Presidentin e Asamblesë së Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanoski dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë. Pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë Veljanoski, Presidenti Topi vuri në dukje se vizita të tilla i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të gjithanshme mes dy vendeve. Kreu i Shtetit vlerësoi nivelin e përgjithshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë si dhe theksoi vullnetin dhe angazhimin e shtetit shqiptar për të thelluar bashkëpunimin dypalësh, sidomos në sektorin ekonomik, duke u fokusuar në rritjen e shkëmbimeve tregtare, intensifikimin e bashkëpunimit në fushën energjetike, transport-telekomunikacionit, turizmit, etj. Presidenti Topi i pasqyroi Veljanoskit dhe delegacionit që e shoqëronte ecurinë pozitive të disa prej reformave të rëndësishme që vendi ynë po realizon në përmbushje të standardeve integruese në familjen euroatlantike, si dhe nënvizoi faktin se diplomacia parlamentare është një fushë shumë të rëndësishme bashkëpunimi. Tematikë e bisedës ishte marrëveshja e nënshkruar për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, të cilën Topi e vlerësoi si një kontribut konkret për lehtësimin e qarkullimit ndërmjet dy vendeve, që përbën dhe një vendim të rëndësishëm politik për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore.
Presidenti Topi dhe Presidenti i Asamblesë së Republikës së Maqedonisë, Veljanoski shprehën angazhimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë në procesin e anëtarësimit në BE dhe në NATO. Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, Presidenti Topi përshëndeti njohjen nga Maqedonia të pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë akt si rikonfirmim dhe mbështetje ndaj fqinjit tonë më të ri, drejt realizimeve të sfidave të përbashkëta rajonale, integruese e globaliste.
...