Dy japoneze në Liceun Artistik të Tiranës
Dy vajza japoneze ngjisin çdo ditë shkallët e liceut artistik "Jordan Misja". Pasioni për artin i ka sjellë dy 15-vjeçaret në Tiranë. Larg familjeve të tyre, Moe Minami ndjek kursin e baletit, ndërsa Hazuki Watanabe studion për violë. Prej shtatorit të vitit 2008 të dyja vajzat ndjekin rregullisht Liceun Artistik. Tashmë janë ambientuar me jetën në Tiranë. Një mësues po u mëson shqipen, ndërsa arrijnë të kuptojnë mirë. Tradita e lindjes që vazhdon edhe sot në shkollën tonë muzikore, ka qenë një grishje e fortë për prindërit e dy vajzave japoneze që t‘i sjellin në Tiranë. Drejtori i liceut, Xhovani Luca, i cili ka edhe kujdestarinë zyrtare të vajzave, shprehet se gjithçka ka filluar krejt rastësisht. I ati i Moes, z. Minami, kishte parë në televizionin japonez një dokumentar mbi Shqipërinë. I intriguar nga ideja e një vendi të vogël që nuk e njihte, kishte paraqitur interes pranë ambasadës sonë në Japoni për ta vizituar. "Z. Minami është dirigjent i njohur në vendin e tij dhe drejtor i orkestrave rinore në Japoni. Në prill të 2007-ës ai vizitoi Tiranën bashkë me një kuartet harqesh, ndenji disa ditë në Tiranë, gjatë të cilave organizuam edhe disa aktivitete të përbashkëta me orkestrën tonë të harqeve. Prej këtu filloi lidhja", shprehet Luca. Pas kësaj vizite, instrumentistët e Liceut Artistik u ftuan për një koncert në Tokio. Ishte ky bashkëpunimi i dytë që e bëri z. Minami të njihej më nga afër me instrumentistët shqiptarë. Luca shprehet se dirigjenti japonez kishte shprehur admirim për ta. Më pas vjen kërkesa e tij që dy fëmijë japonezë të studionin në shkollën shqiptare. Një prej këtyre nxënësve do të ishte vajza e tij e vetme, Moe. Të veshura sportive, me tiparet karakteristike japoneze, Moe dhe Hazuki u bashkohen bashkëmoshatarëve shqiptarë. Të dyja jetojnë në konviktin e liceut. Luca shprehet se kjo ka qenë një zgjedhje e prindërve të tyre. "Të gjithë e dimë që Japonia është një nga vendet me zhvillim të madh ekonomik. Familjet e tyre kanë pasur mundësi që t‘u paguanin edhe një shtëpi me qira, por kanë zgjedhur vetë që vajzat të rrinë në konvikt. Duan që ato të përshtaten e të integrohen në jetën e këtushme", thekson drejtori i liceut. Sipas tij, vajzat po mësojnë me shpejtësi gjuhën shqipe. Një mësues është caktuar që t‘u bëjë çdo ditë nga një orë mësimi. Luca beson se për vitin tjetër vajzat do të jenë gati që të frekuentojnë shkollën si të gjithë fëmijët e tjerë shqiptarë. Ndërsa nuk kanë asnjë pengesë në mësimet e violës apo të baletit, për më tepër që ato nuk janë fillestare. Edhe më parë, Moe dhe Hazuki kanë studiuar në Tokio për violë dhe balet. Ai e admiron vullnetin e prindërve të dy vajzave që i kanë sjellë në Tiranë nga Japonia e largët, vendim të cilin e shpjegon me mentalitetin e atjeshëm. Për më tepër e justifikon me zgjedhjen që z. Minami ka bërë si njohës i shkollës së muzikës. "Minami është dirigjent shumë i talentuar. Ai ka studiuar vetë për disa vite në Austri. Shkollën tonë e njohu përmes instrumentistëve që takoi në Tiranë. Por fakti që shkolla jonë e muzikës ka një traditë shumë të mirë nga Lindja, shkollat e së cilës konsiderohen si më të fortat, besoj se ka qenë një shtytje që ai të sjellë vajzën e tij këtu. Në të ardhmen mund t‘i çojnë diku për t‘u specializuar. Ndoshta edhe vetë kurioziteti për një vend të panjohur mund të ketë ndikuar", shprehet Luca. Edhe ai nuk di t‘i thotë me saktësi se cilat kanë qenë arsyet, por ndjek çdo ditë me vëmendje zhvillimin e vajzave. Ato shkojnë shpesh për vizitë në familjen e tij. Aty e kanë kaluar edhe festën e Vitit të Ri. Luca shprehet se kanë një korrektesë për t‘u admiruar, jo vetëm në orarin e mësimit, por edhe gjatë jetës së përditshme. Ai tregon se komunikimi mes tyre ka filluar të bëhet më i lehtë. Ato kuptojnë gjithnjë e më shumë. Tashmë janë ambientuar, kanë mësuar disa rrugë në Tiranë dhe shprehen se ndihen mirë. Por, gjithsesi, për çdo rast vajzave u kanë mësuar disa shprehje bazë dhe gjithnjë me vete mbajnë një kartë me adresën e saktë dhe numrin e telefonit të Lucës. Gjithashtu janë ambientuar edhe me ushqimin shqiptar, ndonëse prindërit, me të cilit qëndrojnë gati në komunikim të përditshëm përmes internetit, u dërgojnë edhe ushqime të veçanta japoneze. Kohët e fundit, drejtori i liceut është i shqetësuar për disa veprime dashakeqe të një personi nga Tirana, i cili dërgon e-maile shqetësuese për prindërit e vajzave. "Është një person që kërkon të ketë një post në ambasadën tonë në Japoni, i cili ua përshkruan prindërve të vajzave Tiranën si të rrezikshme, ku veprojnë banda mafioze, ku fëmijët e tyre janë të rrezikuar. Ky është dhe propagandimi i një imazhi të keq për vendin tonë", thekson Luca. Sipas tij, së shpejti prindërit e Moes dhe Hazukit do të vizitojnë Tiranën. Shpreson që ky veprim të mos ndikojë për ndonjë vendim të mundshëm për largimin e dy vajzave japoneze nga Liceu Artistik, kur atyre nuk u kanoset asgjë.