E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy javë kohë për zgjidhjen e ngërçeve 8-muajshe

24/05/2010 Shtohet numri i seancave, opozita aktive në punimet e Kuvendit

Votimi i ligjeve që duan 84 vota, si dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit

Pjesëmarrja e deputetëve të opozitës në punimet e Kuvendit pritet të ndryshojë produktivitetin e këtij institucioni, i cili ka mbetur peng i disa marrëveshjeve apo projekteve që kërkojnë një shumicë të thjeshtë votash. Lista e gjatë e projekteve të mbetura pezull sirtarëve të Parlamentit, për shkak të bojkotit të opozitës, ka çuar padashur në një ngërç institucional, ngërç që pritet të zgjidhet në dy javët e ardhshme. 15 ditët, për të cilat deputetët e majtë janë urdhëruar të jenë pjesë e komisioneve dhe seancave parlamentare me qëllim gjetjen e dialogut në mënyrë institucionale, do të shfrytëzohen maksimalisht nga mazhoranca, e cila si përgjegjëse kryesore për qeverisjen e vendit lufton për çuarjen përpara të reformave. Dhe mazhoranca ka treguar se di të shfrytëzojë raste të tilla, siç bëri në seancat kur opozita mori pjesë, kohë në të cilën ajo përfshiu jashtë rendit të punimeve votimin e projektligjit për Gjykatën Administrative. Përpjekjet nisin që me vendimin për dyfishimin e seancave në javë. Por nëse kjo taktikë do të pranohet në heshtje nga opozita, apo do të kundërshtohet duke vënë theksin te qëllimi i pjesëmarrjes së tyre në Kuvend, duke mos hequr dorë nga transparenca e zgjedhjeve, kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim.

Ligjet pezull

Gjatë këtyre 8 muajve një sërë projektesh që synojnë të çojnë përpara reformën në gjyqësor kanë mbetur të parealizuara, për shkak të mungesës së kuorumit të cilësuar (84 vota) për t’i votuar ato. Ndryshime të Kodit Penal, si dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit janë të tjera çështje që kërkojnë 84 vota. Ligji për Gjykatën Administrative, i cili synon të rregullojë marrëdhëniet mes qytetarëve, biznesit dhe Qeverisë për masat administrative të marra nga institucione të ndryshme, çështje të cilat kanë hasur në vonesa dhe zvarritje nga ana e gjykatave, do të shqyrtohen pikërisht nga Gjykata Administrative. Ai është një ndër ligjet më të pritura nga komuniteti i biznesit. Deri më tani socialistët nuk kanë paraqitur ndonjë kundërshtim në lidhje me këtë projektligj, por mungesa e tyre në sallë ka bërë që miratimi i tij të mbetet pezull. Ky ligj pritet të rregullojë marrëdhëniet mes biznesit dhe shtetit në raste mosmarrëveshjesh mes tyre. KLD-ja ka bërë gati strukturën e kësaj gjykate, si dhe janë marrë në shqyrtim të gjitha dosjet e gjyqtarëve që do të emërohen në gjykatat administrative që do të ngrihen në Tiranë dhe në rrethe. Mungesa e votave në Kuvend ka lënë pezull gjithashtu edhe miratimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Konferencën Gjyqësore dhe si rrjedhojë, ka mbetur pezull edhe zëvendësimi i dy anëtarëve të KLD-së, të cilëve u ka mbaruar mandati, por në bazë të ligjit duhen të zgjidhen pikërisht nga Konferenca Gjyqësore. Ligji në fjalë ka hasur kundërshtimin e palëve, por sërish nuk është bërë i mundur kalimi ose përmirësimi i tij për shkak të bojkotit.

Institucione

Me përfundimin e mandatit të Avokatit të Popullit, Emir Dobjani, në 17 shkurt të këtij viti, Kuvendi nuk ka mundur të zgjedhë kreun e ri të këtij institucioni, për shkak të pamundësisë së respektimit të ligjit lidhur me shumicën e cilësuar të votave që Avokati i ri i Popullit duhet të marrë. “Avokati i Popullit zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në nenin 4 të ligjit “Për Avokatin e Popullit”. Detyrën e Avokatit të Popullit aktualisht e mban komisioneri më i vjetër në detyrë, Riza Poda.

Kuvendi kthen dy seancat në javë

Që prej ditës së sotme, Kuvendi i Shqipërisë pas disa muajve i rikthehet normalitetit me 2 seanca parlamentare: të hënave dhe të enjteve. Kuvendi, përmes një njoftimi zyrtar, ka njoftuar deputetët e tij për pjesëmarrje në seancën e pasdites. Ky ndryshim lidhet edhe me pjesëmarrjen e deputetëve të opozitës në mbledhjet e komisioneve dhe seancave parlamentare. Pas fillimit të bojkotit të opozitës në fillim të muajit tetor, Konferenca e Kryetarëve hoqi nga lista e programit të saj punimet e një seance gjatë javës. Ky organ i lartë i Kuvendit vendosi që të paktën për tri javët e ardhshme Kuvendi të zhvillojë vetëm një seancë në javë, atë të ditës së enjte. “Kemi rënë dakord që seancën e ditës së hënë të mos e zhvillojmë, me qëllim realizimin e ligjeve sa më cilësore”, njoftoi vendimin e Konferencës së Kryetarëve Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në fillim të seancës së radhës parlamentare. Në fakt, që nga ky njoftim i datës 6 tetor e deri dje më 20 maj, Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar nga një seancë në javë, rreth 21 të tilla në total. E hëna e sotme do të ndërpresë marrëdhëniet e kushtëzuara me Parlamentin, pasi 2 javët e ardhshme do te jenë intensive dhe vendimtare me negociatat e ekspertëve demokratë dhe socialistë, me ndërmjetësimin edhe të një eksperti të Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›