E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, rriten interesat e kredive në lekë

24/05/2010 Për tre muajt e parë interesat e kredive të reja kanë arritur normën 12.66 për qind

Ulja e normës së interesit të Bonove të Thesarit nuk po jep asnjë efekt te kreditë në lekë

Rriten interesat e kredive në lekë. Statistikat e publikuara nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se për tre muajt e parë të vitit 2010 interesat e kredive të reja në lekë, kanë ardhur në rritje, duke arritur në normën 12.66 për qind në muajin mars. Që nga dhjetori i vitit 2009, normat e interesit të kredive në lekë janë rritur me 0.6 pikë përqindjeje. Duket se kreditë nuk po reflektojnë aspak çlirimin e kushteve monetare, që nisi me uljen e normës bazë të interesit në fund të muajit tetor dhe që u transmetua në uljen e normave të interesit të Bonove të Thesarit gjatë muajve në vazhdim. Megjithëse kreditë bankare përgjithësisht kuotohen mbi bazën e interesave të bonove të thesarit, plus një marzh interesi fiks, rritja e interesave totale shpjegohet me rritjen e marzheve fikse nga ana e bankave. Rritja e perceptimit të rrezikut nga bankat duket se ka ndikuar në rritjen e këtyre marzheve dhe kjo bën që edhe kosto e kredisë në lekë për publikun të rritet. Këto rezultate tregojnë se synimi i Bankës së Shqipërisë për të ulur koston e kredisë nëpërmjet një politike monetare me nuanca të moderuara ekspansioniste, ende nuk po rezulton i suksesshëm. Në ankandin e fundit norma e interesit të Bonove të Thesarit arriti vlerën 7.89%, duke vazhduar prirjen rënëse të nisur që në fund të vitit 2009. Ulja e interesave të bonove është një nga elementët më të rëndësishëm të përcaktimit të çmimit të kredive në lekë, që kuotohen mbi bazën e interesit të bonove. Një normë më e ulët interesi e bonove nënkupton një kosto më të ulët të huamarrjes së publikut në lekë.

Kredia, si është vështirësuar marrja

Të marrësh në bankë një kredi konsumatore apo për të blerë shtëpi është bërë më e vështirë dhe kredia ndjeshëm është më e shtrenjtë. Banka e Shqipërisë raporton se si kjo tendencë ka filluar që në muajin nëntor të vitit të kaluar. Arsyeja e kësaj situate është se bankat tregtare priren nga shtrëngimi i mëtejshëm i standardeve të kreditimit, veçanërisht për kredinë konsumatore. Bankat kanë forcuar standardet e kreditimit nëpërmjet rritjes së kërkesës për kolateral dhe rritjes së marzheve si për kreditë në përgjithësi, ashtu edhe për ato me rrezik më të lartë. Banka Qendrore raporton se ritmet e rënies së kredisë konsumatore, pasi arritën në nivelin maksimal prej 11.7 për qind në dhjetorin e vitit 2009, kanë vazhduar edhe gjatë muajve të parë të vitit 2010. Kreditimi i individëve raportohet të jetë në nivele të ulëta historike ose e shprehur në shifra rreth 25 për qind më e ulët se mesatarja e vitit të kaluar. Për pasojë portofoli i kësaj kredie është më i ulët se një vit më parë. Po ashtu ecuria e kredisë për individë është ndikuar në një masë të madhe nga zvogëlimi i kredisë në valutë, e cila në harkun e një viti ka pësuar një rënie prej 5.7 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›