E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy kandidat gjermanë për vendin e trajnerit te Kombëtares

Edhe pse trajneri 75-vjecar kroat Oto Baric ka arritur të fitojë besimin e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe është në pritje të rinovimit të kontratës së tij edhe për eliminatoret e Botërorit 2010, burime të besueshme pohuan për Albania-sport.com, se dy trajnerë gjermanë janë të gatshëm të udhëheqin Shqipërinë me përfundimin e kontratës së trajnerit karizmatik.
Një nga emrat është i njohur për ambientin shqiptar, pasi dhe më parë tentoi të merrte drejtimin e Kombëtares sonë. "Pier Litbarski më konfirmoi se e dëshiron bankinën e Shqipërisë dhe se vlerëson arritjet e trajnerit Baric", - tha Alfred Mane, menaxheri i FIFA-s në Gjermani. Kampioni i Botës me Gjermaninë (1990), Litbarski, gjithnjë sipas Manes, madje ka refuzuar edhe drejtimin e disa ekipeve aziatike, pasi shpreson se me projektin e tij do të arrijë të bindë drejtuesit e FSHF-së për t'i besuar rolin e titullarit të Kombëtares.
Emri i dytë është Jurgen Koehler, një tjetër kampion bote (1990) dhe fitues i Euro 1996, i cili ka qenë i pranishëm edhe në ndeshjen Luksemburg-Shqipëri (0-3). Në një pohim për Albania-sport.com, 42-vjecari Kohler, fitues si lojtar i Ligës së Kampioneve me Borusian e Dortmundit i Bajernit, Juventusit (kampion 1995) tha se në tribunën e gazetarëve të "Josy Barthel" nuk kishte shkuar për të vëzhguar lojtarët shqiptar për ndonjë ekip në Bundeligë, por për të njohur nga afër ekipin shqiptar, pasi synon të marrë drejtimin e Kombëtares. "Jam i gatshëm. Hans Peter Brigeli është një shembull i mirë për të gjithë trajnerët gjermanë", është shprehur ish-trajneri i Dusburgut, i cili vitin e kaluar hodhi poshtë një ofertë për të marrë drejtimin e Bregut të Fildishtë.
Nga përfundimi i fushatës kualifikuese të Euro 2008 kanë mbetur edhe pesë takime zyrtare për Oto Baric, i cili me 9 pikët e grumbulluara në 7 ndeshjet e para, duket se është në pozita të qeta, kur ka lënë pas Bjellorusinë, Slloveninë dhe Luksemburgun. Takimi zyrtar i radhës i Shqipërisë është me Holandën, më 12 shtator 2007. "Të dy trajnerët kandidatë do të jenë në "Qemal Stafa", - pohoi Mane, - dhe, ndoshta mund të krijohet mundësia e një takimi kortezie me presidentin e FSHF-së, zotin Duka".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›