E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfshihet nga flakët pallati në Tiranë, evakuohen banorët

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Një zjarr masiv përfshiu sot një pallat në zonën e njohur si “Farmacia 10” në Tiranë, në rrugën e Dibrës.

Flakët kanë nisur në katin e parë të kompleksit dhe më pas kanë përfshirë gjithë fasadën e pallatit e cila është djegur me shpejtësi.

Sakaq, forcat zjarrfikëse kanë evakuuar prej godinës disa banorë me anë të shkallëve lëvizëse, teksa policia ka vendosur edhe shiritin e sigurisë në zonë.

Pas evakuimit nga forcat zjarrfikëse, banorët e asfiksuar nga flakët janë transportuar menjëherë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Gazetari i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Arbi Fortuzi, në terren për të shuar zjarrin ndodhen forcat zjarrfikëse, helikopterë Cougar si dhe 3 ambulanca. Gjithashtu janë angazhuar dhjetëra forca zjarrfikëse, efektivë policie si dhe forcat e Emergjencave Civile me kapacitete të plota.

Në vendngjarje ndodhet edhe ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.

Ministria e Mbrojtjes në një reagim në rrjetet sociale bën të ditur se, “Bashkia Tiranë ka operuar me kapacitete të plota, si në mjete ashtu edhe në personel. Në ndihmë janë bashkuar edhe Bashkia Kamëz me dy mjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë, si dhe Bashkia Vorë me dy mjete dhe 10 efektivë”, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Gjithashtu, Forcat e Armatosura janë angazhuar me katër mjete zjarrfikëse, 26 efektivë dhe një helikopter Cougar. UKT ka mbështetur operacionin me tre autobote uji.

Strukturat përkatëse janë në gatishmëri të plotë dhe po ndjekin situatën në mënyrë të vazhdueshme deri në normalizimin e saj të plotë.

1 nga 10

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›