E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy mësueset

Kujtime nga Shallvarja, nr. 23

Dy mësuese, nga të parat e arsimit shqiptar. Më parë se dy mësuese, dy bashkënxënëse në Institutin shqiptaro-amerikan të Kavajës, për t’u bërë pas disa vjetësh dy kunata dhe shoqe të pandara për vite e vite. Mësuese në shkollat në Tiranë dhe duke banuar për më shumë se njëzet vjet aty, në Shallvare.

Këto dy mësuese ishin nëna ime, Nevrez Sakiqi (Këlliçi) dhe gruaja e dajës, Reshat Këlliçi, Bediha Këlliçi (Sulo). Vajza të reja 15-16-vjeçare, ato u njohën në shkollën amerikane, siç i thoshin ato ndërmjet tyre. Kjo shkollë ishte hapur në vitin 1926 nga misionari dhe dashamirësi i madh i vendit tonë, amerikani Erikson. Në takimin që Eriksoni pati me kryetarin e Republikës, Ahmet Zogu, ai mori këtë porosi: “Unë dëshiroj që ju të çelni sa më parë e qysh tani, brenda një muaji, themelimin e një shkolle për vajza. Nevoja për një shkollë të tillë është më e madhe se ajo për shkolla mashkullore, sepse ne nuk mund të bëhemi një shtet modern pa gra të pajisura me arsim. Asnjë komb nuk mund të ngrihet më lart nga niveli që kanë gratë. (Iljaz Gogaj, Instituti shqiptaro-amerikan i Kavajës dhe Charles Telford Eriksoni, Tiranë, 2006 fq. 36).

Kujtimet për shkollën e tij çdo njeri i ka të paharruara, sepse ato janë të lidhura me rininë e tij, me shokët e shoqet, por shoqet në fjalë kishin një gjë të veçantë, sepse dy mësueset e ardhshme kishin vazhduar një shkollë – konvikt amerikan me rregulla dhe metoda mësimore të caktuara, që me sa kam mundur të kuptoj, është pak a shumë e njëjta që ushtrohet edhe sot në Amerikë. Nxënëset e shkollës ishin nga familjet intelektuale qytetare, por nuk mungonin edhe bursiste nga shteti për fëmijë që nuk kishin mundësi ekonomike.

Më kujtohet, kur së bashku, por nganjëherë edhe me bashkënxënësen tjetër, Afërdita Asllani, kujtonin shkollën, mësuesit e tyre e më shumë miss. Smith, një punëtore e palodhur dhe fetare që i priste flokët të shkurtëra, mbante berretë dhe vishte pantallona. Ajo jepte lëndën e matematikës dhe nuk mund të dilte kush nga klasa pa mësuar. Ajo nuk falte asnjë gabim apo parregullsi. Shkonte tryezë më tryezë për të kontrolluar ushqimin. Buka që nuk përdorej sot, të nesërmen, e mbështjellë, ishte përsëri në tryezën tënde, derisa të konsumohej. Kujtonin anën praktike të shkollës, kur mësuesja e para shkarkonte makinën me dru ose niste punën në parcelën e shkollës. Kujtonin mësimin e gjeografisë dhe vizatimin e hartës së Amerikës, foljet e parregullta të gjuhës angleze, etj. Disa herë bisedat zhvilloheshin në anglisht. “Anglishtes së Afërditës nuk mund t’i afrohemi”, - thoshte nëna ime. Procesi i orës 18 ishte dëgjimi i “Zërit të Amerikës”, ku të përkulura mbi radio dëgjonin çka thuhej nga vendi i lirisë, vendi ëndrrave të vajzërisë. Në memorialin e Rusveltit në Uashington ishte një statujë e titulluar: “Në vendet pas perdes së hekurt, duke dëgjuar “Zërin e Amerikës”. Në statujë ishin dy burra të përkulur mbi radio, thuaj të bërë një trup me të. Kur e kam parë, m’u duk e njëjta tablo e jona.

Shumë herë, kur donte ta lëvdonte një person për punën dhe sensin praktik të gjërave, nëna ime thoshte: “Sa i ngjan miss Smithit!” Ato kujtonin gjithashtu një nga themeluesit e shkollës, vëllain e Afërditës, Reshat Asllanin, si edhe shumë mësuese e bashkënxënëse.

Në shkollën e Kavajës nëna ime i fliste shoqes së saj, Bedihasë, për një vëlla të saj që ishte larguar më 1924 nga Shqipëria me Fan Nolin për të përfunduar në Rusinë e largët. Ku ta dinte ajo që pas disa vitesh ky vëlla i saj do të vinte dhe do të bëhej pikërisht i fejuari i saj. Kështu që kjo lidhje nuk i ndau ato për gjithë jetën.

Bedoja, pas fillimit të karrierës në fshatin Gazdare pranë shkollës, në vitin 1935 punon si mësuese në disa shkolla të Tiranës si “Naim Frashëri”, “Kosova”, “Kristoforidhi”, etj. Bedoja qe mësuese shumë e suksesshme. Ajo dha mësim në shkollën ushtrimore, ku bënin praktikë mësuesit e rinj. Ajo punoi për më shumë se 35 vjet në arsim, pa u vlerësuar kurrë sa duhej. Shkak për këtë ka qenë desidenca e të shoqit që idetë e komunizmit, të mësuara në vendin e lindjes së tij, i përdori si desidencë për regjimin. Më kujtohen që në fëmijëri fjalët e Bedos: “Arsimi duhet të çlirohet nga politika.” E Bedoja kishte punuar jo pak për përhapjen e ideve të reja në grupet ilegale, kishte punuar për një jetë të drejtë shoqërore, për një arsim ku të mos të dominonte lufta e klasave. Komunizmi ishte një zhgënjim i plotë për të. Ajo kishte edhe ‘gjuhën e gjatë’ dhe vetëm ndërhyrjet e miqve inspektorë e shpëtonin.

Nëna ime e filloi karrierën më 29-03-1935 me Dekretin nr. 40 të firmosur nga ministri Mirash Ivanaj. Në dekret është edhe shkolla ‘Princesha Sanije Zogu’ që ishte emërimi i parë. Fotoja tregon pikërisht vitin e parë të punës.

Punoi pastaj në Durrës e Shkodër mbas të shoqit që ishte oficer i rojes së financës. Pas pushkatimit pa gjyq të të shoqit më 28 tetor 1944, punoi në arsim deri në vitin 1951. Në fakt, paralajmërimi për pushim kishte ardhur më parë. Në vitin 1946, ishte transferuar në Ballsh. Vetëm ndërhyrja e Sejfulla Malëshovës, ministër i Arsimit dhe mik i dajës, mundi ta anulojë këtë urdhër. Por, kjo për disa vjet, se më 1951 do të vinte pushimi i vërtetë. Nuk mund të edukonte brezin e ri e shoqja e një të pushkatuari. Dikush që i komunikoi vendimin, i shtoi edhe shkollën amerikane.

Filluan vitet e vështira të punës së krahut në ndërtim, në zdrukthtari e gjetiu. Si do të rriteshin dy fëmijë të vegjël?! Në këtë kohë të vështirë shoqja e shkollës dhe kunata iu gjetën pranë me triska buke, por mbi të gjitha duke ndarë fatin e të deklasuarit.

Kështu shpjegohet që Bedo nuk u nderua kurrë me ndonjë medalje, derisa doli në pension. Vetëm në vitin 1995 ajo u nderua nga Presidenti i Republikës me Urdhërin Naim Frashëri, të klasit të parë, kurse nëna ime, të klasit të dytë. Në qoftë se ka në jetë shembull shoqërie, dashurie e mirëkuptimi, ato janë të tilla. Për afro 70 vjet ato ishin bashkë, ndanë gëzimin dhe hidhërimin. Ato edukuan me qindra nxënës që vazhdimisht i kujtonin. Ato kishin dashurinë dhe respektin për punën e nderuar të arsimtarit, respektin për detyrën, të edukuara nga familja dhe nga shkolla amerikane që kishin kryer.

Pak orë para se nëna ime të ndërronte jetë, erdhi në shtëpi për vizitë z. Iljaz Gogaj, autor i librit që përmenda më sipër. Ai solli disa foto nga shkolla amerikane për të identifikuar disa persona. Nëna i njohu të gjithë personazhet, ndërmjet të tjerëve dhe z. Asllani. Me këto kujtime të bukura dhe mbase të rralla të jetës së saj, kërkoi të pushojë për të kaluar pas një ore në pushimin e përhershëm, ku pas disa muajsh do t’i vinte edhe shoqja e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›