E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Presidenti të mbrojë Mediun, po e sulmon prokuroria

Presidenti i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo, kërkoi të mërkurën nga Presidenti i Republikës që të rishikojë pozicionin e Prokurorisë së Përgjithshme për çështjen e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Godo gjatë fjalës së tij la të kuptohet se Mediut po i bëhet shantazh nga ana e organit të hetimit dhe për këtë kërkoi mbrojtjen e presidentit, Bamir Topi, pavarësisht se veprimet e ish-ministrit të Mbrojtjes patën një fat tejet tragjik. Duke folur për rolin e organit të akuzës në çështjen e ish-ministrit të Mbrojtjes, Godo kritikoi pozicionin e këtij institucioni ndaj Kuvendit, duke e cilësuar atë si të “papërgjegjshme”. “Jemi dëshmitarë që dy herë brenda një kohe të shkurtër, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë dy dalje të pakuptimta në publik, nën pretekstin se do të bëjë transparencë lidhur me akuzat ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes e kryetarit të PR, Fatmir Mediu”, - tha Godo.

Reagimi

Ndërkohë, Godo e cilësoi si të drejtë reagimin e deputetëve në Komisionin e Mandateve, pasi, sipas tij, dokumentacioni ishte joprofesional. Dalja e dytë e prokurorisë, që lidhet me të ashtuquajturin dokumentacion prej rreth 700 faqesh të dërguar në Kuvend, për të justifikuar akuzat e bëra, në fakt nuk justifikon asgjë.

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, m'u duk e drejtë që të protestonin të gjithë deputetët, jo për të mbrojtur imunitetin, por për mënyrën sesi u trajtua Kuvendi, duke i dërguar një vandak të madh me urdhëresa, që janë në dispozicion të gjithkujt. Këtu kemi të bëjmë ose me një nënvleftësim të Kuvendit, ose me një mungesë serioze të nivelit profesional të atyre që bënë një përçapje të tillë”, - tha Godo.

Imuniteti

Vetëm një ditë më parë Këshilli i Mandateve dhe Rregulloreve kundërshtoi dokumentacionin e dërguar nga prokuroria për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Deputetët u shprehën se materiali i dërguar ishte shumë voluminoz dhe kishte akte legjislative të përsëritura dhe të botuara më parë në media. Këshilli ra dakord që në mbledhjen e ardhshme deputeti Mediu të japë shpjegime para deputetëve për ngjarjen e 15 marsit në Gërdec, ku nga shpërthimi në një fabrikë të çmontimit të municioneve luftarake humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë, si dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›