Abuzimi me tokat e Kasharit, hetimet: Gani Kamberin e kanë vrarë
Sipas hetimeve, Kamberi është gjendur përmbys dhe me pistoletë në dorë. Pistoleta i është gjendur në dorën e djathtë, ndërsa plumbi i ka tejshpuar kafkën në krahun e majtë. “Një shpim i tillë nuk ndodh në vetëvrasje, por vetëm nëse qëllohet nga të tjerë, siç nuk mund të vetëqëllohesh nga krahu i majtë me dorën e djathtë”, - kanë shpjeguar dje ekspertët, të cilët kanë shtuar se gjetja e kufomës përmbys me pistoletë në dorë është e pahasur në raste vetëvrasjesh.
Historia
Gani Kamberi u gjet i vdekur pranë shtëpisë së tij, më 14 tetor 2007. Vetëm dy ditë përpara kësaj ngjarjeje, sipas dokumenteve të hetimit, pra më 12 tetor 2007, ai kishte denoncuar në prokurori për abuzimet e trojeve në Kashar. Sipas dosjes hetimore, Kamberi ka rrëfyer para hetuesve sesi drejtuesit e komunës, përmes falsifikimeve dhe manipulimit të dokumenteve, kishin arritur t’i shisnin një personi 9 mijë metra nga toka e tij. Disa ditë pasi ai u gjet i vdekur, dëshmitarë të ndryshëm kanë deklaruar se Kamberi kishte pasur disa përplasje edhe fizike në Kashar, me disa prej të arrestuarve më pas për falsifikim dhe abuzim me tokat e Kasharit. Mes të arrestuarve rezultojnë edhe kryekomunari aktual si dhe dy ish-kryetarë të mëparshëm të së njëjtës komunë.
Por, komisariati nr. 2 i policisë së Tiranës e konsideroi vetëvrasje ngjarjen e ndodhur më 14 tetor 2007. Edhe pse kishte dyshime si për mënyrën sesi ishte shkaktuar plaga apo gjetja e pistoletës, dosja u mbyll si vetëvrasje. Viktima u varros, ndërsa familjarët kërkonin dyerve të policisë dhe prokurorisë hetimin serioz të ngjarjes që ishte konsideruar vetëvrasje nga depresioni. “Ganiu nuk ka patur kurrë depresion dhe s’mund të vetëvritej”, - kanë këmbëngulur familjarët. Nga këmbëngulja tyre, më 28 dhjetor 2007 prokuroria e kryeqytetit e riktheu dosjen në komisariatin nr. 2, duke kërkuar zhvarrosjen e viktimës dhe kësaj radhe, këqyrjen e kufomës me një komision prej tre mjekësh ligjorë. Ndërkaq, përveç zhvarrosjes, hetimet konsideruan si të rëndësishme edhe thirrjen e 26 dëshmitarëve. Nga ekspertiza e djeshme, është rrëzuar versioni i ekspertizës së parë, çka pritet të sjellë arrestime edhe në radhët e policisë, të cilët dyshohen se kanë manipuluar provat dhe kanë fshehur provat e vërteta në vendin e ngjarjes.
Lumë denoncimesh
Akuzat për grabitjen e tokave çuan në pranga gjatë operacionit “Kashari” 7 persona, mes të cilëve tre ish-krerët e komunës së Kasharit, Alfred Sulaj, Faik Fejzo dhe Naim Karaj. Ata u prangosën me urdhër të prokurorisë, më 30 nëntor 2007. Të tre ish-krerët e komunës së Kasharit akuzohen për shitjen e tokave mbi bazën e dokumenteve false në bashkëpunim me Islam Sherën, Shefqet Alikajn, Ismail Sulajn dhe Xhevair Hykën. Për këtë të fundit, gruaja e Gani Kamberit kishte deklaruar se jo vetëm kishte patur konflikt, por edhe i shoqi i saj ishte rrahur. Sipas hetimeve, dosja ndaj të akuzuarve të Kasharit përmban prova, sipas të cilave, ish-krerët e komunës Kashar, gjatë mandateve të tyre nga viti 2003-2007, kanë tjetërsuar pronësinë e rreth 18 hektarëve tokë në pronësi të rreth 60 banorëve të zonës. Më pas, hetimet pohuan se ishin rreth 200 denoncime për tjetërsime pronash, një pjesë prej të cilave pritet të zbardhin edhe akuzat ndaj të akuzuarve.