UNMIK nuk do të bashkëpunojë me fituesit e zgjedhjeve lokale serbe
Kështu tha zëdhënësi i UNMIK, Alexander Ivanko. Ai tha po ashtu se UNMIK do të vazhdojë bashkëpunimin me përfaqësuesit e emëruar serbë nga shefi i UNMIK, nëpër komunat ku ky komunitet përbën shumicën.
Ivanko tha se për UNMIK, të gjitha strukturat që dalin nga zgjedhjet lokale serbe të 11 majit janë inekzistente dhe nuk do të përfillen, por do të trajtohen si ilegale.
“Ne do të flasim vetëm me përfaqësuesit serbë të emëruar nga shefi i UNMIK në pesë komunat me shumicë serbe, ngaqë vetëm ata do të konsiderohen si përfaqësues legjitimë”, - tha Ivanko.
Ai sqaroi se këta përfaqësues të emëruar kanë mandat deri më 18 qershor. Ndërkohë që ai tha se Joachim Ruecker mund t’i emërojë përfaqësuesit tjerë për një periudhë tjetër kohore deri në mbajtjen e zgjedhjeve nën organizimin e UNMIK.
Në vazhdim, Ivanko ritheksoi ofertën që administrata e Kombeve të Bashkuara i pati ofruar Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, e cila ishte refuzuar nga Serbia.
“Ne i patëm ofruar zgjidhje ministrit serb Samarxhiç, sipas së cilës, UNMIK do të organizonte zgjedhje në pesë komunat me shumicë serbe, në mënyrë që të dalin përfaqësuesit legjitimë serbë, që do të përfaqësonin interesat e këtij komuniteti, por ministri Samarxhiç as që është përgjigjur në këtë ofertë”, - theksoi Ivanko.
Andaj, organizimi i zgjedhjeve ilegale nga ana e Serbisë, sipas tij, ishte një harxhim parash dhe asgjë më shumë.
“Serbia ka shpenzuar shumë pará për të bërë diçka që është ilegale dhe nuk mendoj se ia vlen që një vend të shpenzojë pará në diçka që është ilegale dhe që nuk përkon me obligimet ndërkombëtare të këtij vendi”, - tha zëdhënësi Ivanko.
Përndryshe, Ivanko tha se UNMIK pret që të bashkëpunojë me Beogradin, pavarësisht se cilat parti politike atje ndërtojnë qeverinë e ardhshme. Ai tha se Kombet e Bashkuara në vazhdimësi kanë qenë përkrahëse të raporteve të mira me Serbinë.
Ndërkaq, lidhur me mandatin dhe rolin e UNMIK pas 15 qershorit, kur në Kosovë hyn në fuqi Kushtetuta dhe kur mund të pritet të fillojë edhe misioni i EULEX, Ivanko edhe dje përsëriti se kjo çështje po diskutohet nga Kombet e Bashkuara, BE dhe kryeqytetet relevante, për të qartësuar rolin e UNMIK.
Deri në përfundimin e këtyre diskutimeve, ai tha se askush nuk mund ta dijë se çfarë roli do të kenë Kombet e Bashkuara në Kosovë pas 15 qershorit.